Saturni

Saturni, perëndi e lashtë romake e të mbjellave, që shumë shpejt u identifikua me Kronin. Paraqitej me drapërin e korrësit. Sipas legjendës, Saturni, pasi u shfronësua nga Zeusi, erdhi në Itali, në krahinën që qeverisej nga Janusi dhe që më vonë u quajt Lacium. Këtu ai u prit me dashuri nga Janusi, i cili ndau me të pushtetin. I prekur nga një pritje kaq bujare, Saturni filloi t’u mësojë njerëzve, që i qeveriste Janusi, bujqësinë, kulturën e rrushit, vendosi barazinë e lumturinë. Mbretërimin e tij e kujtonin si kohën e drejtësisë dhe të lirisë së përjetshme, të paqes dhe të bollëkut të përgjithshëm. Për nder të Saturnit organizoheshin festa të veçanta, saturnalet, që kremtoheshin çdo vit nga 17-19 dhjetor dhe vazhdonin gjashtë ditë. Gjatë ditëve të festës, për të kujtuar kohën e artë, zhdukeshin të gjitha dallimet shoqërore. Shpesh edhe skllevërit zinin vendin e padronëve të tyre, që u shërbenin në tryezën e ngrënies. Gjyqet dhe shkollat mbylleshin, të dënuarit nuk mund të ekzekutoheshin, armiqësitë ndërpriteshin. Skllevërit me një kapuç çlirimi në kokë rendnin nëpër qytete, të dehur, duke kënduar. Jehonë e saturnaleve u bënë më vonë karnavalet.

Shih edhe

Përmendet te