Orët
Orët, hyjni që personifikonin stinët: pranverën, verën, dimrin. Numri dhe emri i tyre ndryshon sipas epokës dhe vendit. Te Homeri, ato përmenden si ruajtëse të portave të Olimpit dhe si shërbyese të perëndive. Hesiodi, i përshkruan ato si vendosëse të ligjeve të mira, të drejtësisë dhe paqes. Ai i quan ato Eunomia (mbrojtëse të rregullit dhe të ligjit në shoqëri), Irena (Paqja) dhe Dike (drejtësi) dhe i përshkruan si vajza të Zeusit dhe Temidës. Më shpesh ato nderoheshin si perëndi mbrojtëse të bimësisë. Kështu në Atikë, ato quheshin Talo (lulëzime), Karpo (plot pemë) dhe Oxo. Një nga orët Irena (Paks) gëzonte një nderim të veçantë në Romë. Orët i paraqitnin si vajza të reja, të gëzuara, që kërcenin së bashku me muzat dhe të mirat, duke mbajtur ndër duar prodhime bujqësore të stinëve të ndryshme: lule, kallëza gruri, rrënjë hardhie, fruta. Nganjëherë përmenden dymbëdhjetë orë, që konsiderohen si personifikim i dymbëdhjetë orëve të ditës e të natës. Në këtë rast ato i quanin si bijat e Kronit.