Oqeani
Oqeani 1. Një nga perënditë më të lashta greke, personifikim i detit. Ishte biri i Uranit dhe i Gjeas. Oqeani ishte më i madhi nga titanët. Ai u martua me Tetinë dhe pati me të tre mijë djem perëndi lumorë dhe tre mijë vajza (oqeanidat). Sipas traditës, ai ishte babai ose stërgjyshi i të gjitha perëndive dhe i të gjitha qenieve. Ai përmendet në shumë legjenda. Gjatë luftës së perëndive dhe të gjigantëve, ai fshehu Herën në
pallatin e vet, që ta shpëtonte nga grykësia e Kronit. Ai jetonte i vetmuar në pallatin e vet, thellë në det dhe kurrë nuk paraqitej në mbledhjet e perëndive. Në veprat e artit Oqeani paraqitej si një plak me mjekër jeshile të ashpër, që mban një bri demi, i cili simbolizon bollëkun e ujërave. 2. Lumë mitik, që sipas përfytyrimeve të lashta, prej tij buronin të gjitha rrymat detare, lumenjtë dhe burimet.