Mantika
Mantika, arti për të shtënë fall, për të parashikuar të ardhmen e dikujt dhe ngjarjet që do të ndodhnin. Të vjetrit besonin 3e perënditë nëpërmjet shenjave
të ndryshme, u zbulonin njerëzve dëshirën dhe mendimin e tyre. Besimi te falli ishte një element themelor i feve të vjetra greko-romake. Asnjë shtet, asnjë njeri nuk guxonte të ndërmerrte ndonjë punë të rëndësishme, pa u konsultuar më përpara me një orakull a profet, për të ditur nëpërmjet tij dëshirën e perëndive. Në legjenda pushteti i orakujve ishte i madh. Çdo shtet, çdo mbret, çdo ushtri kishte falltarin e vet, psh. Epigonët që u drejtuan kundër Tebës nuk morën asnjë vendim pa pyetur falltarin e tyre, Tiresiun. Grekët gjatë Luftës së Trojës dëgjonin këshillat e Kalkantit. Në Romë fallet u përhapën shumë nën ndikimin etrusk. Në raste shumë të rëndësishme strategët. dhe kryepleqtë në Romë u drejtoheshin haruspikëve (kolegjium priftërinjsh në Romë), të cilët shtinin fall me të brendshmet e kafshëve të flijuara. Në këtë rast ata e drejtonin vëmendjen në formën dhe gjendjen e mëlçisë. Platoni thoshte se mëlçia ishte një organ ku pasqyrohej mendimi hyjnor. Etruskët shtinin fall edhe me shenjat qiellore (rrufenë, bubullimën, zënien e diellit etj). Zënia e diellit quhej shenjë e keqe. Më shpesh kërkoheshin këshillat e augurëve (edhe këta përbënin një kolegjium priftërinjsh në Romë). Augurët shtinin fall nëpërmjet fluturimit të zogjve dhe qëndrimit të patave (psh. si e çukisnin ato kokrrën e grurit). Midis falltarëve respektin më të madh në Romë e gëzonin Sibilat, profecitë e të cilave ishin shkruar në
përmbledhjen e njohur me emrin libra sibiline. Sipas legjendës, këto libra u dukën në Romë në kohën e mbretërimit të Tarkuin Krenarit ose në vitet e para të republikës. Mendohej se ato ishin hartuar nga profetja Sibilë, nga qyteti Kuma i Italisë. Ruajtja e librave sibiline u ishte besuar priftërinjve dhe interpretuesve. Një mjet tjetër, nëpërmjet të cilit perënditë u shfaqnin dëshirën e tyre njerëzve, ishin ëndrrat. Homeri i quante ëndrrat si fantazma që fluturonin në ajër, të cilave Zeusi u jepte pamje të ndryshme. Ato banonin matanë Oqeanit, në portën e Fushave të Elizeut dhe që andej perëndia ua dërgonte njerëzve. Mendonin gjithashtu se perëndia i shfaqej në ëndërr një të vdekshmi, sa herë që ai kërkonte ta këshillonte. Në Greqi dhe në Romë njerëzit me kulturë mbanin qëndrim skeptik ndaj mantikës. Filozofi grek nga Mileti, Talesi (624-547 para es.), që paratha me saktësi zënien e aiellit në vitin 585 para es., tregoi se kjo ndodhi jo nga zemërimi i perëndive, por, sepse hëna mbuloi diellin. Poeti komik grek, Epikarmi (shekulli V para es), flet për falltarët dinakë, të cilët mashtronin gratë budallaqe dhe iu merrnin atyre para. Poeti romak Eni (239-161 para es.) i quante falltarët mburravecë supersticiozë dhe të paturpshëm, të cilët të tjerëve u premtonin pasurira, kurse për vete detyroheshin t’u merrnin të tjerëve një grosh.