Jasoni

Jasoni, biri i Ezonit, mbretit të Jolkut (në Tesali). Ai ishte ende i vogël kur xhaxhai i vet, Peliu, e shfronësoi babanë e tij. Megjithatë, Jasoni mundi të shpëtojë dhe u rrit nga centauri Kiron, i cili i mësoi djalit artin për të shëruar plagët. Kur u bë 20 vjeç, ai u nis për në Jolk me shpresë që të hakmerrej kundër Peliut dhe të vendoste Ezonin në fron. Rrugës, në breg të një lumi, ai takoi Herën, që kishte marrë pamjen e një gruaje plakë, së cilës iu lut ta kalonte në anën tjetër të bregut. Pas këtij shërbimi ai vuri re se kishte humbur njërën nga sandalet e tij. Ndërkaq 'një orakull e kishte paralajmëruar Peliun se nuk duhej t’i besonte njeriut që do t’i paraqitej atij zbathur. Kur Jasoni arriti në pallat, mbreti u tmerrua, pasi ai ishte me një sandale dhe që ta hiqte qafe e ngarkoi t’i sillte bashkën e artë të dashit magjik, e cila ndodhej në mbretërinë e Eetit (në Kolkidë). Peliu u shtir sikur do t’ia jepte pushtetin Jasonit, në qoftë se do të sillte bashkën e artë. Jasoni e

pranoi propozimin dhe organizoi fushatën e argonautëve. Pas shumë shtegtimesh plot me rreziqe, argonautët që lundronin me anijen «Argo», arritën te mbreti Eet. Ky i fundit pranoi t’u jepte atyre bashkën e artë, por me kusht që të vinin nën zgjedhë demat me thundra bakri dhe, në tokën e lëruar nga ata, të mbillnin dhëmbët e dragoit. Me ndihmën e vajzës së mbretit, Medea, që u dashurua marrëzisht pas Jasonit, ky i fundit arriti t’i plotësonte kushtet që u kishte vënë mbreti. Ai rrëmbeu bashkën e artë dhe së bashku me Medenë dhe me shokët e tij, u nis për në Greqi. Për të penguar ndjekjet e të atit, Medea vrau rrugës vëllanë e saj Absirtin dhe pjesët e trupit të tij i hodhi në det. I dëshpëruar Eeti mblodhi copat e trupit të të birit, kurse Medea fitoi kohë që të ikte. Më në fund arritën në Jolk, por shpejt u dëbuan nga banorët e vendit për faj të Medesë, sepse ajo, që ishte e dëgjuar si magjistare, i mashtroi vajzat e Peliut, duke i shtyrë ato të therrnin babanë e tyre dhe ta futnin në një kazan me ujë të valuar (Medea u kishte premtuar atyre se mbreti do të lindte i ri dhe i fuqishëm. (→ Peliu, Medea). Nga Jolku ata u drejtuan për në Korint, te mbreti Kreont. Këtu, pas një farë kohe, Jasoni u martua me vajzën e mbretit, Kreusën (ose sipas një varianti tjetër me Glaukën). Për t’u hakmarrë, Medea vrau rivalen e saj dhe fëmijët e vet, që i kishte me Jasonin, pastaj iku në Atikë. Mbasi u end nga një qytet në një tjetër, Jasoni më në fund u kthye në Korint. Për vdekjen e Jasonit jepen variante të ndryshme. Njeri nga ato thotë se ai vdiq i vetmuar. (Jasoni po flinte në hijen e anijes së vjetëruar «Argo». Ajo u shemb dhe copat e saj e vranë).

Shih edhe

Përmendet te