Hipsipila

Hipsipila, bija e mbretit të Lemnosit, Toantit. Gratë e atij ishulli i kishin vrarë të gjithë burrat për tradhti. Vetëm mbreti Toant, babai i Hipsipilës, kishte shpëtuar nga vdekja. Atë e shpëtoi e bija, e cila e ndihmoi të ikte. Pas vrasjes së burrave, Hipsipila u bë mbretëreshë e Lemnosit. Kur argonautët zbritën në ishull, gratë i lejuan ata të hynin në qytet. Hipsipila që e priti Jasonin me nderime të mëdha në pallatin e saj, u dashurua pas tij, dhe lindi me të dy djem, Eneun dhe Toantin, që mori emrin e gjyshit. Argonautët qëndruan dy vjet në Lemnos. Heronjtë u dhanë pas qejfit dhe u harruan në ishull. Më në fund, me ndërhyrjen e Herakliut, ata u detyruan ta linin qytetin, megjithëse gratë iu lutën që të mos largoheshin e të qëndronin me to. Pas largimit të argonautëve, gratë e Lemnosit morën vesh se Hipsipila e kishte shpëtuar të atin dhe vendosën ta vrisnin. Pasi i kuptoi qëllimet e tyre, Hipsipila iku nga ishulli, por rrugës ra në duart e piratëve, të cilët e shitën si skllave te mbreti i Nemeut, Likurgu, i cili e mbajti atë si mëndeshë të djalit të tij, Ofeletit. Të shtatë prijësit që shkonin për të rrethuar Tebën takuan në pyllin e Nemeut Hipsipilën dhe e lutën që t’u tregonte një burim. Ajo i çoi në

një krua pranë, por, gjatë mungesës së saj, një gjarpër kafshoi fëmijën që i qe besuar. I zemëruar, Likurgu u pergatit ta vriste Hipsipilën, por atë e mbrojti njëri nga të shtatë prijësit, Tideu. Heronjtë e varrosën Ofeletin dhe organizuan për nder të tij lojëra ushtarake, që shënuan fillimin e lojërave të Nemeut. Hipsipila u kthye në Lemnos.

Shih edhe

Përmendet te