Meleagri

Meleagri, biri i mbretit të Kalidonit (në Etoli), Ojne, dhe i Altesë. Sipas legjendës, i ati kishte harruar t’i bënte flijim Artemidës, prandaj hyjnesha shumë e zemëruar dërgoi menjëherë një derr përbindësh që të shkretonte Kalidonin, duke rrezikuar të përhapte urinë në mbretërinë e Etolisë. Meleagri mori përsipër ta ndiqte atë dhe kërkoi që të merrnin pjesë edhe vendet përreth si edhe vendi i kuretëve. Kafsha u vra, por Artemida nxiti një zënkë midis kuretëve dhe etoliasve për lëkurën, zënkë e cila u shndërrua në përleshje. Në këtë përleshje Meleagri vrau vëllezërit e s’ëmës. Kjo e fundit kërkoi nga perënditë edhe Erinitë që ta mallkonin. Meleagri u largua nga luftimi, sepse kishte frikë zemërimin e forcave hyjnore, por kur kuretët fitimtarë rrethuan qytetin dhe po e digjnin, të gjithë miqtë e Meleagrit, e ëma, gruaja e tij Kleopatra, iu lutën që të fillonte luftën. Heroi u prek, veshi armorin më të bukur dhe arriti ta prapësojë sulmin e kuretëve.

Sipas një tradite tjetër, kur lindi Meleagri, Altenë e vizituan Moirat dhe e paralajmëruan se biri i saj do të jetonte aq kohë, sa do të zgjaste ura që digjej në zjarr. E ëma e hoqi menjëherë urën dhe e fshehu me kujdes në një arkë. Meleagri u rrit i fuqishëm dhe me një grumbull heronjsh (Jasonin, Pleksipin, Amfiaraun, Tezeun, Admetin, Telamonin, Peleun, Piritoin, Dioskurët, Telamonin) mori pjesë në gjuetinë e Kalidonit. Për të gjuajtur derrin mori pjesë edhe një gjahtare arkadase, Atalanta, pas së cilës Meleagri u dashurua. Kjo e fundit qe e para që e plagosi derrin, kurse Meleagri e goditi atë për vdekje. Midis gjahtarëve plasi një sherr i madh se kush prej tyre meritonte të merrte lkurën e derrit. Meleagri ia dha lëkurën Atalantës si gjahtare e shkathët, por daja i Meleagrit, Pleksipi, nuk pranoi që një grua arkadase të nderohej me këtë çmim dhe ia mori me forcë lëkurën. I zemëruar për fyerjen që iu bë të dashurës së tij, Meleagri vrau Pleksipin dhe vëllanë e tij. E dëshpëruar pa masë për vdekjen e vëllezërve të saj, Altea nxori nga arka urën, e ndezi dhe kur ajo u dogj, Meleagri vdiq. Altea nga dëshpërimi u var. Motrat e Meleagrit u shtrinë mbi varrin e të vëllait dhe e qanë aq shumë, saqë Artemida e prekur, u dha fund dhimbjeve të këtyre vajzave të reja, duke i shndërruar ato në zogj që quhen meleagridë, në pendët e të cilëve njollat e bardha dukeshin si lot. Miti mbi Meleagrin lindi në epokën e së drejtës amtare (të matriarkatit). Këtë mit F. Engelsi e sjell si shembull të atyre marrëdhënieve shoqërore, në të cilat vëllai konsiderohej më i afërt se biri, kurse vrasja e dajës konsiderohej si një krim aq i rëndë, saqë nëna për këtë «e mallkon... birin e vet dhe kërkon nga perënditë vdekjen e tij» (F. Engels, «Origjina e familjes, e pronës private dhe e shtetit», në vëllimin K. Marks, F. Engels, Vepra të zgjedhura, Vëll II, f. 306 T. 1975). Miti mbi Meleagrin është trajtuar edhe në

«Iliadën»,, në «Metamorfozat» e Ovidit. Në artin e kohës së re miti mbi Meleagrin ka shërbyer si subjekt i tablove të ndryshme të Rubensit «Meleagri dhe Atalanta» dhe «Gjuetia e Kalidonit«-.

Shih edhe

Përmendet te