Prokna
Prokna, bija e mbretit të Athinë6, Pandion, motra e Filomelës. Legjenda tregon se mbreti i Tesalisë, Tereu, si shpërblim për ndihmën që i dha Pandionit në luftë kundër tebanëve, mori për grua Proknën dhe pati me të një djalë, Itisin. Prokna ushqente një dashuri të madhe për motrën e saj, Filomelën dhe, meqë nuk mund të jetonte një kohë të gjatë e ndarë prej saj, iu lut burrit që ta sillte atë. Pandioni, sikur të parandjente ndonjë të keqe, me shumë zor e lejoi vajzën të nisej, ai madje i dha roje për ta shoqëruar. Gjatë udhëtimit, Tereu u dashurua marrëzisht pas së kunatës dhe vendosi ta bënte për vete me çdo kusht. Sapo u afrua në vendin e tij, në Tesali, ai përzuri suitën e vet dhe atë të Filomelës dhe e çoi princeshën e mjerë në një kështjellë ku e përdhunoi. Që të mbulonte krimin, Tereu i preu Filomelës gjuhën dhe e la në kështjellë, ku ruhej nga njerëzit e tij besnikë. Kur u kthye në pallatin e vet, ai i tha së shoqes se Filomela kishte vdekur gjatë rrugës. Por Filomela mundi t’i tregonte historinë motrës së saj nëpërmjet një pëlhure, të cilën arriti t’ia çonte me anë të një skllavi. Kur e hapi këtë pëlhurë, Prokna mësoi për krimin e Tereut. Duke përfituar nga një festë për nder të Dionizit, gjatë të cilës gratë mund t'u binin fushave rreth e përqark, Prokna shkoi të lirojë motrën e vet. Ajo e mori Filomelën, e fshehu në pallat, pastaj për t’u hakmarrë mbyti të birin, Itisin, dhe me mishin e gjymtyrëve të tij gostiti Tereun. Kur ai mbaroi ngrënien, doli Filomela duke mbajtur në dorë kokën e Itisit, të cilën e hodhi në tryezë përpara Tereut. Ky i fundit, i tmerruar përpara kësaj pamjeje, mori shpatën dhe i ndoqi të dyja motrat, por ato arritën të shpëtonin, duke hipur në një anije që i çoi në Athinë. Zeusi e shndërroi Proknën në bilbil, Filomenën në dallëndyshe dhe Tereun në kaçul. Legjenda mbi Proknën është një mit tipik etiologjik. Këngën e përvajshme të bilbilit fantazia popullore e interpretonte si të qarët e nënës së penduar që ka vrarë të birin, britmën e dallëndyshes si llomotitjen e memecit, kurse koka e kaçulit shëmbëllente me flokët e dredhura të trakasit. Miti ka ruajtur kujtimin mbi kanibalizmin, jehonat e të cilit i gjejmë, gjithashtu, në mitet e tjera greke për Tantalin, Pelopin, Atreun dhe Tiestin etj. Miti mbi Proknën është përpunuar në tragjedinë e Sofokliut «Sofra e Tereut», që na ka arritur në fragmente si dhe në «Metamorfozat» e Ovidit.