Sfinksi
Sfinksi (që të zë frymën, që s’të lë të marrësh frymë), përbindësh i tmerrshëm me kokë gruëtje, me trup luani, me krahë me kthetra të mprehta luani, që, sipas legjendës, jetonte pranë Tebës, në një shkëmb. Legjenda tregon se perënditë, për të dënuar Laiun që kishte rrëmbyer djalin e Pelopit, Krisipin, kishin vendosur që Sfinksi të qëndronte atje, derisa të gjenin gjëegjëzën e tij. Këtë gjëegjëzë ia kishin treguar atij Muzat. Të gjithë udhëtarët që kalonin pranë tij i detyronte të gjenin gjëegjëzën, por asnjëri nuk arrinte ta gjente dhe, këtë gjë ata e paguanin me kokë. Te Sfinksi erdhi edhe Edipi. Ai i kërkoi atij të gjente gjëegjëzën: «Kush ecën në mëngjes me katër këmbë, në mesditë me dy edhe në mbrëmje me tri këmbë?» Edipi u përgjigj: njeriu, kur është i vogël, në mëngjesin e jetës së tij është i dobët dhe zvarritet me këmbë e me duar. Ditën, dm.th. në moshë të pjekur, ai ecën me dy këmbë, kurse në mbrëmje dm.th. në pleqëri, ai ecën me tri këmbë. Nga inati Sfinksi u hodh nga shkëmbi dhe vdiq.