Moirat
Moirat, hyjnesha motra të fatit të njeriut, bijat e Zeusit e të Temidës. Ato ishin tri: Klotoja, Lakesida dhe Atropoja dhe banonin së bashku në rnbretërinë e Hadit (sipas një varianti tjetër në Olimp). Zonja të fatit të njerëzve, ato shpërndanin lumturinë ose mjerimin, gëzimin ose mundimet dhe asgjë nuk mund të ndalonte ose të zbuste ekzekutimin e parathënieve të tyre. E gjithë bota u bindej. Vetë fati i Zeusit ishte në duart e tyre. Fati sundonte mbi të vdekshmit dhe mbi perënditë. Moirat i përfytyronin si tri gra të zbehta e të dobëta, që nën dritën e një llambe endnin në heshtje fatin e njeriut. Klotoja, më e vogla, mbante furkën në dorë dhe endte fijen e jetës së njeriut, duke përcaktuar kohën dhe afatin e jetës së tij. Lakesida e kalonte atë përmes të gjitha trilleve të fatit, kurse Atropoja, më e madhja, priste pa u epur me gërshërët e saj fatale fijen e jetës së njeriut. Te romakët Moirat quheshin Parka.