Atalanta
Atalanta, bija e Jasionit, mbretit të ishullit Skiros dhe e Klimenës. Ajp ishte aq e shpejtë dhe e lehtë në të rendur, sa edhe burrat më të fuqishëm e më të shkathët nuk ia kalonin. E rritur nga një arushë, ajo u bë gjahtare e përsosur, mori pjesë në fushatën e argonautëve, në gjuetinë e Kalidonit dhe qe e para që e plagosi derrin e Kalidonit. Shumë të rinj e kërkonin Atalantën për grua. por ajo kishte deklaruar se do të martohej vetëm me atë që do të fitonte në rendje, dhe cilindo që do të humbiste garën me të do ta vriste me shigjetë. Shumë pretendues e humbën garën dhe jetën, ndërsa Melanipi, me ndihmën e Artemidës, e fitoi garën. Hyjnesha i kishte dhënë atij tri mollë të arta dhe e kishte mësuar si t’i përdorte. Gjatë rendies ai i lëshoi në tokë mollët e arta, larg njëra nga tjetra. Atalanta u ul t’i mblidhte, por u vonua dhe e humbi garën. Kështu ajo u bë gruaja e Melanipit, me të cilin pati një
djalë, Partenopeun. Më vonë Atalanta dhe Melanipi u shndërruan në luanë. Në mitin e Beotisë fituesi i garës dhe burri i Atalantës quhej Hipomen. Sipas këtij miti, Zeusi i pa Atalantën dhe Hipomenin tek putheshin në faltoren e tij, dhe kjo qe arsyeja që i shndërroi ata në luanë.