Miti

Miti (gr. legjendë, tregim), gojëdhënë për perënditë e heronjtë, për krijesat e mbinatyrshme dhe për fenomenet e ngjarjet e çuditshme. Në këto treg'ime, që janë një lloj i veçantë i krijimtarisë popullore, u pasqyruan përfytyrimet primitive të njerëzve mbi natyrën që i rrethonte dhe përpjekjet e tyre të para për të shpjeguar fenomenet e pakuptueshme. Mitet lindën në kushtet e një niveli të ulët të zhvillimit të forcave prodhuese dhe si pasojë e pafuqisë së njeriut para natyrës. Zhvillimi i shkencës, e cila zbulon shkaqet e vërteta të fenomeneve të botës që na rrethon, i shkatërron bazat e miteve. «Çdo mitologji — shkruante K. Marksi — mposht, nënshtron dhe i përpunon forcat e natyrës në imagjinatë dhe me ndihmën e imagjinatës, si pasojë, ajo zhduket kur arrihet sundimi i vërtetë mbi këto forca.» (K. Marks, F. Engels, «Mbi letërsinë dhe artin», vëll. 1, f. 119). Mitet lindën në kohë shumë të vjetra. Si material për mitet ka shërbyer në përgjithësi realiteti objektiv, i pasqyruar në mënyrë fantastike në ndërgjegjen e njerëzve. Subjektet e miteve janë të shumëllojshme. Në përpjekjet për të shpjeguar shkaqet e lindjes së fenomeneve, u krijuan mite të shumta mbi origjinën e botës, të diellit, të yjeve, të hënës, të ishujve, të njeriut, të kafshëve, të bimëve. Shumë mite lidhen me veprimtarinë ekonomike të njeriut. Në shoqëritë e vjetra që merreshin me bujqësi, lindën mitet të lidhura me vrojtimet mbi natyrën, mbi dukuritë e saj të lulëzimit, të fishkjes dhe të ngjalljes. Këto janë mitet mbi heronjtë dhe perënditë që vdesin dhe ngjallen (mitet mbi Adonisin, Atisin, Osirisin, Dionizin etj). Shpikjet dhe zbulimet e ndryshme të njeriut gjetën pasqyrimin në mitet mbi «heronjtë e kulturuar», psh. miti grek mbi Prometeun që u dha njerëzve zjarrin, miti mbi Dedalin që shpiku shumë instrumente etj. Në një varg mitesh është pasqyruar një epokë e shoqërisë njerëzore, psh. epoka e matriarkatit (miti mbi Amazonat dhe mbi Meleagrin). Zëvendësimi i matriarkatit nga patriarkati është pasqyruar në mitin grek mbi Orestin. Shumë mite kanë edhe vlerë burimore historike. Mitet kanë frymëzuar shumë piktorë dhe skulptorë të të gjitha epokave, kurse tragjedia greke në një shkallë të madhe i ka përdorur si subjekt ato. Mitologjia greke është një nga elementet më të rëndësishme të kulturës antike.

Shih edhe