Friksi1

Ka edhe një zë tjetër me këtë emër: Friksi2

Friksi, hero beotian, biri i mbretit Atamantit dhe i hyjneshës Nefelë, vëllai i Helës. Për të shpëtuar nga komplotet e njerkës së tij, Inosë, e cila kishte bindur Atamantin që ta flijonte djalin, Friksi dhe Hela u hipën mbi dashin magjik me bashkë të artë, të cilin ua kishte dërguar nëna e tyre, Nefela. Gjatë fluturimit mbi det, Hela humbi ekuilibrin, ra në ujërat e ngushticës që ndan Evropën nga Azia dhe u mbyt; kjo ngushticë u quajt me emrin e saj Helespont (Dardanelet e sotme). Friksi arriti i shpëtuar në Kolkidë, ku mbreti Eet e priti me mikpritje. Atje Friksi ia flijoi dashin magjik Zeusit, kurse bashkën e artë ia dhuroi Eetit, i cili e vari atë në një korije të shenjtë nën mbrojtjen e një dragoi të tmerrshëm. Kjo bashkë e artë u bë më vonë objekti i ekspeditës së Argonautëve. → Bashka e artë.

Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.

Shih edhe

Përmendet te