Vazhdo leximin
⌕ ☆

Plani dhe Xhani: kalaja e Boksit, selia e ipeshkvit dhe katër krismat e vitit 1908

Dy fise të vogla të Pultit mbi burimet e Kirit: tri trungje në Plan, një kala që ra nga uji i prishur dhe vrasja e vitit 1908 që e vuri Shoshin në kuvend.

Redaksia ZHURMA · · 6 min lexim

Plani dhe Xhani janë dy fise të vogla katolike të Pultit, në luginën e epërme të Kirit, mbi Shkodër. Plani mban burimet e lumit dhe kalanë e vjetër të Boksit; në Xhan e kishte selinë ipeshkvi i Pultit, i vetmi ipeshkëv me seli në Alpet e Shqipërisë së Veriut. Në maj 1908 Edith Durham dëgjoi aty katër krisma, për të cilat pleqtë e Shoshit u mblodhën në kuvend.

Fotografi e vjetër bardhezi: një kishë e vogël guri me kambanore dhe një ndërtesë ngjitur, mes pemësh, nën një mal shkëmbor
Kisha dhe banesa e ipeshkvit në Xhan, rreth vitit 1904 · Foto: E. Liebert, «Aus dem nordalbanischen Hochgebirge», Sarajevo 1909, f. 65 (domen publik) Foto: E. Liebert Licenca: PD
Përmbajtja9 pjesë
  1. Ku janë
  2. 1671: çka gjeti Gaspari
  3. Tri trungje në Plan, një gojëdhënë në Xhan
  4. Kalaja e Boksit
  5. Plani më 1908
  6. Xhani: selia e ipeshkvit dhe katër krismat
  7. Sa ishin
  8. Çka mbetet për t'u gjetur
  9. Burimet

Ku janë

Konsulli austro-hungarez Theodor Ippen shkruan më 1908 se Pulti i ditëve të tij është toka e tri fiseve: Planit, Xhanit dhe Kirit. Plani ka krejt burimet e Kirit; më poshtë, në anën e djathtë të lumit është Xhani dhe në të majtën Kiri. Të tria, shkruan ai, janë krejt katolike dhe secila ka famullinë e vet.

Robert Elsie (The Tribes of Albania, 2015) ia jep Planit për fqinj Bogën në veri, Shalën në lindje, Kirin e Xhanin në jug dhe Shkrelin në perëndim, me katundet Plan dhe Gjuraj-Boks. Xhani kufizohet me Planin e Mëgullën në veri, Kirin në lindje, Sumën në jug dhe Rrjollin në perëndim.

1671: çka gjeti Gaspari

Vizitori apostolik Stefano Gaspari gjeti në Plan 52 shtëpi me 312 shpirt dhe një kishë guri të Shën Anton Abatit, ku rrinte famullitari, don Francesco Samerissi. Kisha s'kishte petka, dhe kelkun e kishte të plasur në fund. Bukëmira e Dajca, 10 shtëpi me 73 shpirt, vinin për meshë në Plan. Në Xhan, që ai e shkruan «Giovanni», numëroi 22 shtëpi me 80 shpirt dhe kishën e Shën Nikollës, prej guri e të mbuluar me rrasa.

Për krejt Pultin Gaspari shkruan se toka është shkëmb dhe jep pak drithë, se njerëzit furnizohen prej anëve të Gjakovës e të Prizrenit, dhe një fjali që vlen sa një dokument: «Turqit nuk sundojnë mbi ta.» Romës i kërkoi katër meshtarë misionarë, njërin prej tyre për Planin.

Tri trungje në Plan, një gojëdhënë në Xhan

Plani ishte një bajrak, por jo një gjak. Edith Durham shkruan se përbëhet nga tri trungje që martohen mes vete: njëri nga Kelmendi, tjetri nga Mërturi dhe i treti nga «anasit», popullsia e vjetër e vendit. Franz Nopcsa, sipas Elsie-t, i ndan edhe sipas katundeve: Gjuraj është nga Kelmendi, Thana nga Mërturi, kurse Boksi është shtresa më e vjetër, e vendosur aty para ardhjes së osmanëve.

Për Xhanin Durham thotë shkurt se s'ka mësuar asgjë për prejardhjen. Elsie sjell një gojëdhënë: xhanasit kanë jetuar dikur në tokën që sot është e Shkrelit, dhe u shtynë përtej maleve, në Pult, kur Shkreli zuri luginën e Përroit të Thatë.

Kalaja e Boksit

Mbi Plan, në një majë shkëmbi ku mezi ngjitesh, janë gjurmët e një kalaje. Nopcsa shkroi më 1910 çka tregohej për të: ra pas tre vjet lufte, dhe vetëm sepse uji i pusit u prish me një qen të ngordhur të hedhur brenda. Është e njëjta gojëdhënë që Marin Barleti e tregon për Sfetigradin e Skënderbeut. Nopcsa nxjerr prej kësaj se prishja e ujit mund të ketë qenë mjet i zakonshëm lufte në Shqipërinë e mesjetës.

Durham u ngjit aty më 1908, nëpër një shteg të ngushtë mes qiellit e lumit. Pa një majë të mprehtë me luginë të thellë në tri anë, mbetjet e tri puseve të mbushura me gurë, shkëmb të latuar dhe një bastion të ndërtuar trashë mbi humnerë. Aty thuhej se kalaja është shumë e vjetër, «kush e di, ndoshta një mijë vjet».

Plani më 1908

Durham shkruan se Plani kishte pak gjak brenda fisit. Kur pajtohej një gjak, një grua sillte një foshnjë të lidhur në djep dhe e kthente djepin përmbys mes dy palëve. Zëvendësi i bajraktarit, i zoti i një shtëpie me tridhjetë veta, i foli ashpër kundër gjakmarrjes: në të njëjtin gjak kishte humbur babën, vëllanë dhe djalin. Që shtëpia të mos rrënohej, e kishte paguar gjakun, 300 guldena gjithsej, dhe tash i shkonte mbarë.

Tokë për misër Plani kishte pak. Burra, dhe shumë më tepër gra, shkonin në vargje të gjata përmes Shalës deri në Guci, dy qafa të larta e dy ditë rrugë, sepse misri atje ishte më i lirë se në Shkodër. Ktheheshin me barrë prej 60 a 70 librash në shpinë. Misri mbante pak më shumë se një javë, dhe rruga niste prapë. Njerëzit, shkruan Durham, luteshin që Fuqitë ta detyronin ndërtimin e një hekurudhe deri në Shkodër.

Xhani: selia e ipeshkvit dhe katër krismat

E. Liebert, që erdhi në Xhan më 1904, shkruan se është seli ipeshkvnore, «e vetmja në Alpet e Shqipërisë së Veriut», dhe e fotografoi kishën me banesën e ipeshkvit. Durham e quan «pallatin» një shtëpizë të vendit me një ballkon druri që mezi mbahej, pa asnjë shteg të mirë deri te dera.

Një të hëne të majit 1908 ajo po pushonte në livadhin pranë, kur në luginë u dëgjuan dy krisma, pastaj edhe dy. «Dasmë, me gjasë», tha udhërrëfyesi. Pak më vonë erdhi lajmi: një djalë tetëvjeçar, pa armë, që ruante delet e babës në shpat, ishte vrarë për gjak nga një burrë i Shoshit. Shoshjani ishte grindur kohë më parë me një xhanas, i cili i kishte hedhur një urë zjarri nga vatra. Goditja është fyerje që nuk falet; ai kërkoi gjak dhe nuk pranoi të japë besë.

Vazhdimin e shkruan Durham vetë, nga Shoshi: të dielën e Rrëshajëve pleqtë e fisit u mblodhën para kishës, të zemëruar me vrasësin, dhe për dy ditë diskutuan a t'ia djegin shtëpinë. Një ligj i tillë, shkruan Durham, do të thoshte ta shihnin veten «si komb, e jo si fise të ndara».

Sa ishin

Konsulli francez Hyacinthe Hecquard, në vitet 1850, i jep Planit 180 shtëpi me 1.135 banorë dhe Xhanit 115 shtëpi me 662. Regjistrimi austro-hungarez i vitit 1918 gjeti në Plan 171 shtëpi me 980 banorë dhe në Xhan 62 shtëpi me 435.

Çka mbetet për t'u gjetur

Nuk kemi asnjë fotografi të kalasë së Boksit. Nuk dimë as emrin e djalit të vitit 1908, as të zëvendësbajraktarit të Planit. Kush është nga Plani a nga Xhani dhe e di trungun e vet, ose ka fotografi të vjetra të kishës e të kalasë, mund t'i shkruajë redaksisë në zhurmapress@gmail.com, ose ta ndërtojë trungun te trungu familjar.

Burimet

  • Stefano Gaspari, relacioni i viteve 1671-1672, përkthimi anglisht i Robert Elsie-t: albanianhistory.net
  • M. Edith Durham, High Albania, London 1909, f. 109-117, 153-154; e njëjta, Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans, London 1928, f. 25
  • Franz Nopcsa, Aus Šala und Klementi, Sarajevo 1910, f. 36-37
  • Theodor Ippen, Die Gebirge des nordwestlichen Albaniens, Wien 1908, f. 22
  • E. Liebert, Aus dem nordalbanischen Hochgebirge, Sarajevo 1909, f. 65
  • Robert Elsie, The Tribes of Albania: History, Society and Culture, I.B. Tauris, London 2015, f. 99-104 (aty edhe Hecquard dhe regjistrimi i vitit 1918)

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
Gjeni një gabim? Na shkruani dhe e korrigjojmë
LIVE Veternik 2 Prishtinë 23 kamera →

Koleksione · të dhëna të verifikuara

Vazhdo me më të lexuarat sot

Përditësuar

Reklamë Hijeshi Shqiptare

Për atë diell.

Gravura të vjetra dhe shenja ilire, të shtypura me dorë, me një bojë të vetme. Bluza të gjera (oversize), të bardha ose të zeza.

25 € · S deri XXL · Transport falas në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut · Pagesa në dorëzim

Të gjitha bluzat
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme