Temistoja

Temistoja, gruaja e mbretit të Tebës Atamant, i cili ishte martuar me të pasi kishte dëgjuar lajmin e rremë se gruaja e tij e parë, Inoja, kishte vdekur. Pas disa vjetësh, Atamanti mon vesh se Inoja jetonte dhe ndodhej në grykën e malit të Parnasit. Atëherë Atamanti vendosi të ndante Temistojën dhe dërgoi te Inoja njerëz që ta sillnin në pallatin e vet. Temistoja, e zemëruar, vendosi të hakmerrej duke vrarë fëmijët e Inojës, Learkun dhe Melikertin. Për këtë gjë ajo urdhëroi skllaven që t’i vishte fëmijët e Inojës me të bardha, kurse fëmijët e saj me të zeza, për t’i dalluar në errësirën e natës. Por skllavja qe vetë Inoja. Ajo ua ndërroi rrobat fëmijve dhe Temistoja gabimisht vrau fëmijëte saj. Kur mori vesh ç’kishte bërë, ajo vrau veten.

Tempulli (faltore), ndërtesë kulti, e caktuar për kryerjen e shërbesave e të riteve fetare. Te grekët e vjetër tempulli në fillim nuk ishte veçse shpellë ose një guvë, në të cilën kryheshin ritet e kultit të hyjnisë, që mendonin se kishte lindur ose banuar atje. Më vonë, vendet e kultit u rrethuan me gurë kufiri dhe u bënë sheshe të shenjta. Para sheshit të shenjtë ndërtoheshin propile, hyrje me shtylla. Dalëngadalë brenda këtij sheshi filluan të ngrihen ndërtesat e kultit, tempulli ose banesa e perëndive, fasada kryesore e së cilës ishte e drejtuar nga lindja (te romakët fasada e tempullit drejtohej nga perëndimi, në mënyrë që besimtari, duke hyrë në tempull, të shikonte lindjen). Në përgjithësi tempulli grek ishte një sallë në formën e katërkëndëshit këndrejtë me gjashtë kolona përpara, gjashtë mbrapa dhe 13-14 anash. Ndërtesa mbështetej mbi një bazë me tri shkallare. Brendësia e tempullit ndahej në tri pjesë: në perëndim të saj ishte ipostdomi, që ruante thesaret e perëndisë; në lindje ishte pronaosi (hajati, hyrja); në qendër ishte naosi (te romakët cela), dhoma kryesore e tempullit, ku qëndronte statuja e hyjnisë ose simboli i saj (idhulli prej guri ose prej druri). Përpara statujës së perëndisë qëndronte trapeza (altari) për flijime pa derdhje gjaku (flijimet me gjak bëheshin jashtë tempullit). Në altar ndizej një zjarr i përjetshëm. Në shumicën e tempujve naosi ndriçohej thjeshtë nga porta. Në ndërtesat me dimensione të mëdha ajo ndriçohej nga një vrimë e çatisë. Shumë tempuj kishin përveç naosit, edhe aditonin. Në këtë pjesë të tempullit mund të hynin vetëm priftërinjtë dhe priftëreshat. Tempujt më të vjetër ishin ndërtuar prej druri. Që nga shekulli VI para es. ata, i ndërtonin me gurë gëlqerorë, më pas pjesërisht ose krejtësisht me mermer. Druri përdorej vetëm për ndërtimin e brendshëm të tavanit dhe të dyshemesë. Duhet thënë se mbledhjet e besimtarëve, shërbesat fetare dhe procesionet bëheshin jo brenda në tempull, por jashtë tij. Këtu është edhe ndryshimi i tempullit grek nga tempulli i fesë së krishterë. Në tempull shërbenin priftërinjtë, shërbëtorët, skllevërit (hierodulët). Të panumërta ishin pasuritë, të grumbulluara në tempull. Përveç dhuratave të njerëzve të ndryshëm (statuja, qerre dhe kuaj bronzi, që formonin koleksionin artistik më të çmueshëm të të gjithë Greqisë), në tempull kishte thesare me vlera të mëdha. Këto thesare u përkisnin qyteteve dhe

njerëzve të veçantë dhe ishin sjellë në tempull ose si dhurata, ose që të ruheshin në depo nën mbrojtjen e perëndisë. Tempujt zotëronin prona të mëdha tokësore, kishin shtëpitë e tyre, punishte të poçarisë, të farkëtarisë etj., kishin skllevër dhe qiramarrës të tyre. Tempujt u jepnin kredi jo vetëm personave të veçantë, por edhe shumë qyteteve e shteteve. Pasuritë kolosale të tempujve u jepnin mundësi priftërinjve të kishin një ndikim të madh në jetën politike e kulturore të shteteve greke. Tempujt u jepnin strehë kriminelëve, kurse disa tempuj si ai i Apolonit në Delf, tempulli i Teseonit në Athinë e disa të tjerë, u jepnin strehë edhe skllevërve të arratisur. Skllavi që kishte shpëtuar nga ndjekjet e padronit, mund të gjente strehë në secilin prej këtyre tempujve. Skllavopronari nuk mund ta merrte me zor skllavin nga tempulli, por uria dhe pushteti i priftërinjve e shtrëngonin skllavin e arratisur të dilte jashtë kufijve të rajonit të shenjtë dhe të binte përsëri në duart e padronit. Prifti i tempullit në përgjithësi e kishte në dorë fatin e skllavit të arratisur. Ai mund t’ia shiste atë padronit të tij ose një padroni të huaj, ose edhe ta përzinte atë nga tempulli dhe me këtë ta detyronte skllavin të kthehej përsëri te padroni. Një rëndësi të madhe kishin tempujt ku ndodheshin orakujt: orakulli i Apolonit në Delf, i Zeusit në Dodonë etj. Shumica e tempujve të vjetër u shndërruan në gërmadha. Në mesjetë disa tempuj antikë u përdorën si kisha të krishtere (Partenoni në Athinë, Panteoni në Romë).

Shih edhe