Mbi 9.000 thirrje në 112 pas stuhisë në Shkup, Koçani mbetet 80% pa rrymë
Dëme materiale në disa rajone, kulme të dëmtuara dhe ndërprerje të energjisë
— Stuhia e djeshme me erë të fortë, shi dhe reshje të rrëmbyeshme ka shkaktuar dëme materiale në disa rajone të Maqedonisë së Veriut, njofton Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas QMK, më të goditura janë Shkupi, Kumanova, Koçani, Shtipi, Strumica dhe disa qytete të rajonit të Vardarit, ku janë regjistruar drunj të rrëzuar, kulme të dëmtuara, kabllo elektrike të këputura, shtylla të rrëzuara dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Në Shkup, pas orës 17:00, në numrin emergjent 112 janë pranuar mbi 9.000 thirrje nga qytetarët, kryesisht për pasojat e motit të ligë. Në Koçan, rreth 80% e qytetit mbeti pa energji elektrike, ndërsa ndërprerja e energjisë ndikoi edhe në furnizimin me ujë.
Në Shtip, era dëmtoi rreth gjysmën e kulmit të Spitalit Klinik dhe shkaktoi përmbytje në disa hapësira të tij. Ndërkohë, në Tetovë janë regjistruar vetëm dëme të vogla materiale, ndërsa situata vlerësohet stabile.
Ekipet e zjarrfikësve, policisë, EVN-së dhe ndërmarrjeve publike ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e pasojave dhe normalizimin e gjendjes, thekson QMK.
Institucioni u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen pranë drunjve të dëmtuar, shtyllave dhe kabllove elektrike dhe çdo rrezik ta raportojnë në numrin emergjent 112.
Burim: TV21, https://tv21.tv/qmk-publikon-bilancin-e-stuhise-deme-ne-shkup-kocan-shtip-kumanove-e-strumice/
— Redaksia ZHURMA
Të ngjashme
sipas temës · #maqedoni
BDI: Kryetari i Çairit mungoi në terren pas stuhisë që lëndoi qytetarë

Stuhia godet Shkupin: 117 vetura të dëmtuara, 10 të lënduar

EVN ndërpret rrymën sot në Zelenikovë dhe Kisella Vodë

Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.