ESTOFEX shpall Nivelin 3 të alarmit për Kosovën — stuhi të fuqishme nga e marta
Stuhitë priten nga dita e martë deri në orët e para të së mërkurës, me rrezik për breshër, erëra shkatërruese dhe reshje intensive.
PRISHTINË — Ballkani po përgatitet për një valë të fortë moti të keq. Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX) ka shpallur Nivelin 3 të alarmit — shkallën më të lartë të rrezikut — për jugun e Kroacisë, jugun e Bosnjë-Hercegovinës, Malin e Zi dhe Kosovën. Stuhitë priten të zhvillohen nga dita e martë deri në orët e para të së mërkurës.
Sistemi meteorologjik parashikon formimin e superqelizash dhe sistemesh të organizuara stuhish mbi rajon. Këto mund të sjellin breshër të madh, erëra me fuqi shkatërruese dhe reshje intensive, madje edhe tornado në raste të veçanta.
Shqipëria qëndron në Nivelin 1 të alarmit, me fenomene më të kufizuara në intensitet dhe shtrirje. Alarm i Nivelit 2 vlen edhe për pjesë të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Sipas analizave, stuhitë e formuara mbi Itali mund të kalojnë Detin Adriatik dhe të godasin Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë jugore dhe pjesë të Shqipërisë.
Parashikimet tregojnë se moti i paqëndrueshëm mund të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, me disa valë stuhish të njëpasnjëshme. Autoritetet dhe qytetarët këshillohen të ndjekin me vëmendje njoftimet zyrtare, pasi kushtet atmosferike mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në zonat e prekura.
Burim: Albinfo.ch
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.