Shpend Ahmeti gjykohet për 172 mijë euro — prokuroria kërkon burg
Ish-kryetari i Prishtinës thotë se shuma ishte ndihmë financiare nga familja, jo fshehje pasurie
PRISHTINË — Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është përballur në Gjykatën Themelore në Prishtinë me akuzën për mosdeklarim të pasurisë në vlerë mbi 172 mijë euro. Gjatë seancës gjyqësore, Ahmeti është deklaruar se shuma e përmendur nga Prokuroria ishte ndihmë financiare nga familja dhe se nuk kishte pasur qëllim të fshehë pasurinë.
Sipas Telegrafit, Ahmeti deklaroi se kjo shumë ishte ndihmë financiare nga familja e tij, duke theksuar se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Prokuroria propozoi që i akuzuari të dënohet me burg dhe gjobë, si dhe t’i konfiskohet shuma e padeklaruar.
Prokurori special Dren Paca deklaroi se aktakuza do të provohet me provat që do të administrohen, e këtu përfshihen përgjigja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të kryetarit, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare.
Avokati i të akuzuarit, Arbër Istrefi, deklaroi se kundërshton në tërësi aktakuzën për arsye se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e parapara të veprës penale. Ai shtoi se mjetet që po pretendohen se nuk janë deklaruar, janë deponime në llogari bankare nga vetë i mbrojturi i tij, nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehjes së tyre.
Shpend Ahmeti është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare më 21 janar 2026. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, i cili akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, i cili në bazë të Ligjit Nr. 04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-050 si dhe Ligjit Nr.08/L-108 për Deklarimin, Origjinën dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, por me rastin e paraqitjes së deklaratave vjetore pranë Agjenicsë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale.
Burim: Telegrafi
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.