Yjet
Yjet, njerëzit e vjetër i konsideronin yjet si qenie hyjnore e të mbinatyrshme. Shumë yje e yjësi lidhen me një mitose menjë legjendë. Këtu do të flasim kryesisht për Zodiakun dhe shenjat e ndryshme që e përbëjnë atë. Zodiaku përbëhet nga 12 yjësi nëpërmjet të ciiave kalonte dielli gjatë rrugës që supozohej se bënte ai rreth tokës. Të vjetrit ekzistencën e këtyre yjësive të ndryshme e lidhnin me mite të ndryshme. Kështu yjësia e Dashit lidhej me mitin mbi Friksin dhe Helën; ajo e Demit lidhej me mitin mbi Evropën; Binjakët ishin Kastori dhe Poluksi, që nganjëherë quheshin Dioskurë. Zeusi i vendosi të dy vëllezërit binjakë në kupën e qiellit, prej nga ku drita e tyre mbronte dhe drejtonte lundërtarët. Gaforrja qe dërguar nga Hera, për të shqetësuar Herakliun në luftën e tij kundër Hidrës së Lernit; ajo qe copëtuar nga heroi dhe qe vendosur në qiell; Luani, ishte luani i pyllit të Nemeut, i cili u vra nga Herakliu; Virgjëresha, sipas disave, duhet të jetë Temida, gruaja e dytë e Zeusit dhe, sipas të tjerëve, Astrea, vajza e Temidës (ose Erigona). Peshorja lidhet me mitin mbi Astrenë, e cila, kur filloi epoka e hekurit, e la tokën dhe u ngjit në qiell; Akrepi ishte ai që me pickimin e tij shkaktoi vdekjen e Orionit; Shigjetari është i lidhur me centaurin Kiron; Bricjapi (briri i dhisë) ishte shenjë që lidhej me dhinë e shenjtë Amalte, mëndesha e Zeusit. Edhe mjaft yjësi të tjera lidhen me mite: Arusha e Madhe lidhet me mitin mbi Kalistonë; Arusha e Vogël, përbëhet nga yje që paraqesin mëndeshat e Zeusit; Hiadat ishin vajzat e Atlasit, që qanin për vdekjen e vëllait të tyre, Hias; Orioni, më i shkëlqyeshmi nga yjet, ishte gjiganti gjuetar që u vra nga Artemida. Ai gjuante i shoqëruar nga Langonjtë, yjësitë Qeni i Madh dhe Qeni i Vogël.