lajme

Lushtaku: Limaj mund të jetë në listën e PDK-së

Emri i kryetarit të Nismës u përmend në mbledhjen e djeshme të Kryesisë, por vendimi pret deri më 12 maj.

Lushtaku: Limaj mund të jetë në listën e PDK-së
Foto: www.zeri.info

PRISHTINË — Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka paralajmëruar se kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mund të jetë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2026.

Lushtaku tha për RTV21 se emri i Limajt është përmendur në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PDK-së, por se ende nuk ka vendim përfundimtar. Sipas tij, çështja pritet të qartësohet deri më 12 maj, kur skadon afati për dorëzimin e listave zgjedhore në KQZ. Vendimi për rikthimin e mundshëm, shtoi ai, i takon Kryesisë.

Lushtaku shprehu mbështetje personale për rikthimin e Limajt në PDK.

"Për mendimin tim personal, Fatmir Limaj është një njeri që është ndër themeluesit e PDK-së dhe ka kontribuuar shumë. Ai mund të jetë pjesë e PDK-së, por duhet të pritet deri në datën e fundit. Ka diskutime, kemi pasur një mbledhje dje ku kemi zhvilluar bisedime dhe emri i tij është përmendur, por derisa nuk kemi një kërkesë zyrtare prej tij", tha Lushtaku.

Lushtaku shtoi se PDK-ja do të garojë e vetme në zgjedhjet e qershorit, pa koalicione, por se lista e partisë do të përmbajë "befasi" të shumta. Sipas tij, partia mbetet e hapur për figura publike me ndikim në fusha të ndryshme.

"PDK-ja është mjaftueshëm e fortë, por sigurisht që ka nevojë që të mund të hyjnë në kuadër të listës së PDK-së. Dera jonë është e hapur dhe do të bisedojmë për figura publike që kanë ndikim në fusha të ndryshme", shtoi Lushtaku.

Burim: Zeri
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.