Kurti: Sa herë na kanë vënë diga, është rritur prurja
Kreu i LVV-së parashikon tejkalimin e 28 dhjetorit, me afat deri më 12 maj për listat e kandidatëve.
PRISHTINË — Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar të enjten se Lëvizja Vetëvendosje do ta tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar sfidën e 7 qershorit si "zgjedhje të përsëritura" — jo situatë të re.
Deklaratat u bënë gjatë nisjes së punimeve për rikonstruktimin e rrugës Kijevë-Malishevë. Kurti njoftoi se LVV-ja ka afatin e 12 majit për dorëzimin e listave të kandidatëve — "i kemi edhe pesë ditë" — dhe se emrat konkretë do të dalin pas mbledhjeve të Këshillit të Përgjithshëm dhe kryesisë së partisë.
Sa i përket bashkëpunimit të paralajmëruar mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, Kurti nuk e mori seriozisht: "Njerëzit kanë dëshira, por nuk duhet të ngatërrohen dëshirat me fakte."
Për rezultatin e pritur, Kurti iu drejtua metaforës së digës: "Sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja." Ai elaboroi: "Besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh t'ja vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje." Saktësinë e shifrave, shtoi ai, "do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit."
Zgjedhjet e 7 qershorit janë caktuar pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues të 28 prillit 2026. Janë zgjedhjet e treta parlamentare kombëtare prej shkurtit 2025.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.