Termini
Termini, perëndi romak që mbronte sinorët dhe shenjat (shtyllat, gurët), që konsideroheshin të shenjta. Sipas legiendës, gjatë mbretërimit të Saturnit arat nuk kishin pasur sinorë të përcaktuar. Çdo gjë ishte e përbashkët dhe njerëzit nuk e njihnin akoma pronën. Por lakmitë e njerëzve shkaktuan grindje. Demetra urdhëroi që çdo pronar t’i ndante arat e tij nga ato të fqinjit me shtylla. gurë ose me shenja të tjera. Ky sinor u nderua si perëndi dhe u quajt Termin, kulti i të cilit u fut në Romë nga Numa Pompili. Në fillim statuja e kësaj perëndie nuk ishte veçse një tullë, gur ose një trung peme. Më vonë i dhanë pamjen e një njeriu pa këmbë e pa krahë dhe e vendosën në një sinor si tregues kufiri. Ditën e terminalisë, festës që organizohej për nder të Terminit, dy pronarë të tokave fqinjë, shkonin së bashku te sinori që ndante arat e tyre, vendosnin aty tufa lulesh dhe i vaditnin me vaj. Pastaj thernin qingja dhe një derrkuc, dhe mishrat e tyre i hanin në një drekë të përbashkët të dyja familjet fqinje. Një legjendë tregon se si u rrit adhurimi për perëndinë Termin. Tarkuin Krenari vendosi t’i ndërtonte Jupiterit në Kapitol një tempull. Për këtë atij iu desh të rrëzonte statuja e piedestalë. Të gjitha perënditë e lanë pa kundërshtuar vendin që zinin, vetëm perëndia Termin refuzoi ta linte, me gjithë përpjekjet që bënë per t’ia zënë vendin. Më në fund u detyruan ta linin atë në vendin e vet. Kështu Termini u gjend midis
një tempulli të ri. Kjo legjendë lindi për të treguar se sinorët e arave, pra prona ishte një gjë e shenjtë dhe prishja e saj quhej si krim i rëndë.