Fineu
Fineu, biri i i Agenorit dhe mbret i Salmodesit në Trakë. Sipas legjendës atë e kishte verbuar Zeusi për shumë arsye. Ai keqpërdorte artin që ia kishte dhuruar Apoloni dhe u tregonte njerëzve sekretet e perëndive. Një version tjetër thotë se atë e verboi Zeusi, ngaqë trajtonte keq bijtë e tij, Pleksipin dhe Pandionin, që i kishte me
gruan e parë,Kleopatrën Boreade (vajza e Boreut) dhe, që njerka e tyre, Ida, i akuzonte ata në mënyrë të gënjeshtërt se kishin dashur ta përdhunonin. Thuhej gjithashtu se Zeusi e verboi, ngaqë kishte preferuar verbërinë në vend të vdekjes. Heliosi, i zemëruar që një i vdekshëm pranonte të mos e shihte kurrë diellin, dërgoi te Fineu Harpitë, gjysmëvajza-gjysmëzogj, të cilat i rrëmbenin ushqimin ose i ndotnin pjatat. Gjatë ekspeditës së Argonautëve, Boreadët, Zeti dhe Kalaidi (vëllezërit e Kleopatrës, gruas së parë të Fineut), e çliruan atë prej këtyre përbindshave. Si shpërblim Fineu u tregoi atyre rrugën që duhej të ndiqnin për në Kolkidë, përmes Bosforit, dhe rreziqet që duhej të largonin. Miti bën fjalë për ndjekjen nga Fineu të fëmijëve të tij me gruan e parë dhe për ndërhyrjen e Boreadëve. Ky motiv është përdorur nga F. Engelsi si shembull i mbeturinës së matriarkatit («...Argonautët ...zbresin në Trakë dhe gjejnë atje se Fineu, i shtyrë nga gruaja e vet e dytë, mundon dy bijtë e vet, që i kanë lindur nga gruaja e parë, Kleopatra Boreade, të cilën e kishte dëbuar. Por midis argonautëve kishte dhe vëllezër të Kleopatrës, dm.th. vëllezërit e nënës së atyre që mundoheshin. Ata menjëherë marrin anën e nipërve të vet, i lirojnë dhe vrasin rojen.» (K. Marks dhe F. Engels vepra të zgjedhura, vëll. II, f. 306, viti 1975).