Alkmeoni

Alkmeoni, biri i Amfiaraut dhe i Erifilit. E zgjodhën për të komanduar fushatën e epigonëve kundër Tebës. Erifili, pasi mori nga Tersandri si dhuratë, tunikën e Harmonisë, e nxiti të birin që të nisej, ashtu siç kishte urdhëruar edhe të shoqin, të merrte pjesë në luftën e parë kundër Tebës, ku ai do të vritej. Alkmeoni gjatë luftës tregoi trimëri të madhe. por kur u kthye në atdhe, vrau të ëmën, që i kishte nxitur atë dhe të atin të ndërmerrnin luftëra, në të cilat, ajo tinës shpresonte se ata do të vriteshin. Kjo vrasje shkaktoi zemërimin e Erinive (hyjneshave të hakmarrjes), të cilat filluan ta ndjekin Alkmeonin. Ky i fundit iku nga vendi i tij, gjeti strehim te mbreti i Arkadisë, Fegje, dhe u martua me vajzën e tij, Arsinoin, së cilës i fali tunikën dhe gjerdanin e Harmonisë. Një thatësirë e madhe pllakosi vendin, që kishte guxuar të priste një vrasës të nënës së vet. Alkmeoni shkoi te lumi Akelo, i cili e përkrahu dhe i dha për grua vajzën e vet, Kaliroin, me të cilën pati dy fëmijë, Amfoterin dhe Akarnanin. Edhe Kaliroi kërkoi gjerdanin e Harmonisë. Alkmeoni u kthye në pallatin e Fegjeut për të kërkuar sendet e çmueshme, duke nxjerrë si shkak se do t’ia blatonte Apolonit, por vëllezërit e Arsinoit e kuptuan gënjeshtrën e tij dhe e vranë.

Shih edhe

Përmendet te