Kalo te përmbajtja kryesore
Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Premte · 7 Gusht 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm ShqipëriMjedis

Zjarri në Mallakastër mbetet jashtë kontrollit — 34.5 hektarë të djegur

Katër familje u evakuan përkohësisht, 631 forca dhe 3 helikopterë luftojnë flakët që rrezikojnë 4 fshatra.

Redaksia ZHURMA + Ruaj
Zjarri në Mallakastër mbetet jashtë kontrollit — 34.5 hektarë të djegur
FOTO · Foto: Agjencia Kombëtare e Rinisë / Wikimedia Commons

MALLKASTËR — Për ditën e tretë radhaz, zjarri në Mallakastër mbetet vatra më e vështirë e zjarreve në vend, me 5 vatra aktive nga 28 të raportuara në 24 orët e fundit sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Flakët po përhapen në drejtim të fshatit Ngraçan pasi vatra në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, është neutralizuar, por situata në Drenie mbetet jashtë kontrollit për shkak të terrenit të pjerrët i cili e bën ndërhyrjen nga toka të vështirë. Ndërkohë, edhe në fshatin Riban situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar.

Në operacion janë angazhuar 3 helikopterë dhe avioni "Air Tractor" i Forcës Ajrore, të cilët hedhin ujë mbi zonat më kritike. Avioni i përket kompanisë me të cilën qeveria ka lidhur kontratë për blerjen e tre avionëve të këtij tipi, të cilët do të vijnë në fund të vitit. Këto mjete po përkrahin 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse dhe 90 efektivë të Forcave të Armatosura të angazhuara në terren.

Për arsye sigurie, katër familje u evakuan përkohësisht nga zonat e rrezikuara dhe tashmë janë kthyer në banesat e tyre. Ndërkohë, situata në fshatrat Riban dhe Ngraçan po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri, duke përfshirë forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vullnetarë.

Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier. Sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Puna vijon edhe në zonën e Dajtit, ku angazhohen forca të MZSH-së dhe ADZM-së, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e avionit "Air Tractor". Në qarkun e Elbasanit, zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në fshatin Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Gjithashtu, në Kostren të Bashkisë Berat po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës, ndërsa në Pocest të Bashkisë Dibër zjarri është shuar. Në qarkun e Gjirokastrës, vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë janë shuar dhe po mbahen në monitorim.

Mbrojtja Civile paralajmëron nivel të lartë rreziku për zjarre sot në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër, duke kërkuar vëmendje të lartë nga banorët dhe institucione.

Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Shqipëri →
● RADIO
104 kanale në zhurma.fm →