Konfiskohen pompat që çuan ujin e kanalit te rezervuari i Gostivarit
Të gjitha komunat e rajonit të Pollogut në gatishmëri për ndihmë, ndërsa Tetova dërgon cisternën e dytë me ujë teknik.
GOSTIVAR — Policia dhe prokuroria konfiskuan sot pompat që, sipas dyshimeve, e nxirrnin ujin nga kanali i famëkeq drejt rezervuarit kryesor që furnizon me ujë qytetin e Gostivarit. Sipas gazetarit Senat Zylbehari, ky është i njëjti kanal që ka helmuar mijëra banorë të qytetit, duke shkaktuar krizën për të cilën uji ende konsiderohet i pasigurt.
Kryetari i komunës, Valon Limani, tha se në këtë moment shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet më i madh dhe në rend të parë, bashkë me normalizimin e situatës dhe furnizimin me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e Gostivarit.
Në një takim të kryetarëve të Rajonit Planor të Pollogut, kryetari Blerim Sejdiu deklaroi se të gjitha komunat e rajonit janë në gatishmëri për të ndihmuar Komunën e Gostivarit. Ai theksoi solidaritetin institucional dhe gatishmërinë për t'u përfshirë me të gjitha kapacitetet e disponueshme.
Mbrëmë, komuna e Tetovës dërgoi për herë të dytë një cisternë me ujë teknik për spitalin dhe banorët e Gostivarit. Njëkohësisht, Qeveria, Komuna e Gostivarit dhe donatorë të tjerë japin ujë të pijshëm në pesë pika të ndryshme të qytetit.
Me urdhër të prokurorisë, dje ishte marrë edhe i gjithë dokumentacioni i ndërmarrjes komunale, përveç vetë pompave të konfiskuara. Kriza e ujit në Gostivar mbetet e pazgjidhur, ndërsa qytetarët varen ende nga pikat e shpërndarjes për ujë të pijshëm.
Burim: TV21
— Redaksia ZHURMA