Shpërbërja e Kuvendit bllokon mandatin e Avokatit të Popullit
Pesë nga 20 agjenci të pavarura drejtohen nga ushtrues detyre, Gjykata Kushtetuese ka dy vende bosh dhe 7 ministri funksionojnë pa udhëheqje të plotë.
PRISHTINË — Institucioni i Avokatit të Popullit vazhdon të funksionojë me anëtarë me mandat të skaduar, përfshirë vetë Avokatin e Popullit — dhe shpërbërja e Kuvendit ka bllokuar çdo mundësi rinovimi të afërt.
Kuvendi i Kosovës shpalli konkursin për pozitën e Avokatit të Popullit më 10 prill, por shpërbërja e tij e kthen këtë çështje "në pikën zero", sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Sipas IKD-së: "Nga analizat tona kemi vërejtur se nga 20 agjenci të pavarura, 5 prej tyre udhëhiqen nga ushtrues detyre. Një agjenci nuk ka bord funksional, ndërsa që nga shtatori Avokatit të Popullit i ka skaduar mandati. Kjo pozitë u hap më 10 prill, por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, procesi do të anulohet dhe nuk do të mund të procedohet. Kur pozitat udhëhiqen nga ushtrues detyre, mund të ketë ndikime specifike politike që e pamundësojnë zbatimin e duhur të detyrave. Nëse vazhdon mungesa e stabilitetit institucional, kjo do të ndikojë në funksionimin e mirëfilltë të këtyre agjencive".
Edhe Gjykata Kushtetuese funksionon me dy vende bosh — Kuvendi dështoi t'i plotësojë ato pozita pasi asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme.
Avokati Ardian Bajraktari paralajmëron se gjendja mund të përkeqësohet: "Pavarësisht faktit që pati zgjedhje të anëtarëve të KPM-së dhe të RTK-së, ende ka një numër institucionesh që janë gjysmë funksionale ose jofunksionale. Kjo dëshmon dështimin e politikës dhe të Kuvendit në përmbushjen e detyrimeve të tyre, si dhe është pasojë e krizave të vazhdueshme politike. Në tërësi, numri i institucioneve jofunksionale mund të rritet", tha Bajraktari për RTV21.
Sipas Bajraktarit, 7 ministri funksionojnë me ushtrues detyre, me raste ku bartjet ndërmjet pozitash tejkalojnë afatin ligjor prej dy vitesh. Ndërkohë, para shpërbërjes, Kuvendi zgjodhi anëtarët e KPM-së dhe të RTK-së.
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.