Rryma nuk u shtrenjtua, por kosto shtyhet për 2027
ZRRE hodhi poshtë kërkesat e tri kompanive kyç për rritje prej 20%, por mekanizmi i profilizimit rrezikon shtrenjtim edhe më të madh në 2027.
PRISHTINË — Qytetarët e Kosovës shpëtuan nga një rritje e dytë radhazi e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) vendosi më 5 maj 2026 kundër shtrenjtimit të tarifave — edhe pse tri operatorët kryesorë energjetikë e kishin kërkuar.
Rregullatori hodhi poshtë kërkesat e tri kompanive kyç për rritje prej mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike. Kjo vjen pas shtrenjtimit prej 16 për qind vitin e kaluar, të cilit i kishin paraprirë rritje të tjera në vitin 2023 dhe 2022. ZRRE nuk dha arsye specifike për vendimin, por tregoi se një pjesë e kostove nuk ishte përfshirë në tarifat e sivjetme — gjë që mundësoi shmangien e shtrenjtimit.
Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të ZRRE-së, shpjegoi mekanizmin e miratuar: "Në mënyrë që kostot që lidhen për remontet dhe mungesën e prodhimit nga gjeneratorët vendorë të shpërndahen në një periudhë dyvjeçare. Kjo bëhet për të zbutur ndikimin financiar te konsumatorët dhe, njëkohësisht, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike."
Vendimi erdhi edhe pas presionit publik. Më 6 shkurt, qytetarë protestuan në Prishtinë para zyrave të KEDS-it, KESCO-s dhe ZRRE-së, si dhe para ndërtesës qeveritare, me sloganet "Nuk e durojmë ma hajninë", "Kujdes, faturë e naltë" dhe "S'kena me i pagu ma faturat".
Megjithatë, ky qetësim mund të jetë i përkohshëm. Adhurim Haxhimusa, profesor ekonomie në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Grisons të Zvicrës, paralajmëron: "Nëse Kosova gjatë këtij viti importon më shumë energji sesa është planifikuar, atëherë rrezikohet që tarifat të rriten në vitin 2027 shumë më shumë se sa është pritur." Vendi nuk mund ta sigurojë nevojën energjetike vetëm nga prodhimi vendor: KEK prodhon deri në 800 megavat në orë, ndërkohë që nevoja ditore dimërore arrin 1.300 megavat.
Burim: Evropa e Lire
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.