lajme

Mickoski: Asnjë standard i dyfishtë — Gruevskit i zbatohet ligji

Kryeministri Mickoski thotë se Gruevski do të trajtohet si çdo qytetar; opozita dyshon hapur se qeveria nuk ka vullnet real për ekstradim.

Mickoski: Asnjë standard i dyfishtë — Gruevskit i zbatohet ligji
Foto: tetovasot.com

SHKUP — Ish-kryeministri Nikola Gruevski, i cili ndodhet në arrati në Hungari, reagoi nëpërmjet Facebook ndaj ministrit të Drejtësisë Igor Filkov, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën e trajtimit të rastit të tij dhe për procedurat e mundshme të ekstradimit. Reagime pasuan edhe nga krerët politikë të vendit.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qëndrimi i qeverisë për sundimin e ligjit mbetet i pandryshuar: nuk do të ketë standarde të dyfishta. "Qëndrimi im është i njëjtë si para disa javësh dhe mbetet i pandryshuar. Nuk kemi standarde të dyfishta. Çdo qytetar që përballet me organet e drejtësisë ka të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Institucionet do të veprojnë në përputhje me procedurat ligjore dhe në funksion të sundimit të ligjit", theksoi Mickoski.

Lideri i opozitës Venko Filipçe nuk pret që qeveria aktuale do të kërkojë ekstradimin e Gruevskit — sipas tij, kjo qeveri nuk është serioze. "Unë pres sikurse çdo shtet serioz, por fatkeqësisht kësi lloj qeverie nuk mundet të bëhet serioze dhe të udhëheqë shtet serioz dhe këtë e shohin ç'do ditë, qytetarët e ndjejnë. Të veprohet ashtu siç duhet, të kërkojë ekstradim, sidomos pas deklaratës së kryeministrit hungarez, që kriminelë të arratisur nuk do t'i mbajë, që është shembull se si kthehet demokracia në shtet, shembull, Europa e pranon atë, e atë duhet ta bëjë qeveria", nënvizoi Filipçe.

Nga Ministria e Drejtësisë njoftohet se po ndërmerren të gjitha hapat në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Procedurat zhvillohen në mënyrë institucionale dhe në bashkëpunim me autoritetet e Hungarisë, pa ndikim nga deklarata politike.

Burim: Tetova Sot
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.