Meta: Osmani pritet të jetë bartëse e listës
Ish-këshilltari i presidentes konfirmon rikthimin e ekipit të Osmanit te LDK-ja — vendimi final merret të shtunën në Këshillin e Përgjithshëm.
PRISHTINË — Burim Meta, ish-këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka deklaruar se ekipi i saj po kthehet drejt Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se Osmani pritet të ketë rol kyç si bartëse e listës. Meta ka folur në emisionin "Këndi i debatit" në Tëvë1, duke trajtuar zhvillimet e fundit politike dhe raportet me LDK.
"Ne po kthehemi deri të shtunën, ku është Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, aty ku merret vendimi edhe për formën e bashkëpunimit edhe numrin e kandidatëve të cilët do të përfaqësojnë. Ne sillemi diku te 20 veta për listë, por nuk ka vendime të sakta dhe kjo dëshmon edhe një herë që ne jemi për bashkëpunim parimor për qëllime të Kosovës, në mirëfunksionalizim të institucioneve dhe largim nga ky ngërç institucional", ka deklaruar Meta.
Ai shtoi se qëllimi i bashkëpunimit është tejkalimi i krizës politike dhe rikthimi në funksionim normal të institucioneve. "Ne nuk do të garojmë të ndarë, por do të kthehemi në shtëpinë tonë dhe do të jemi në listën e LDK-së", u shpreh ai.
Duke folur për pozicionin e tij aktual, Meta theksoi se vazhdon të jetë pjesë e ekipit të presidentes dhe konfirmoi synimin për rikthim në LDK. "Statusi im është në ekipin e presidentes Vjosa Osmani dhe ne jemi rrugës për në LDK, natyrisht për të synuar përsëri pozitën e presidentes përmes LDK-së. Interesimi për t'u rikthyer dhe për të qenë pjesë e kësaj ideologjie është jashtëzakonisht i madh", tha Meta.
Për rolin e Osmanit në listë, Meta ishte i qartë: "Ne do të jemi pjesë e LDK-së dhe natyrisht Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës, dhe kjo është pranuar shumë lehtë nga LDK".
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.