lajme

Hetim penal pas tymit të zi të KEK-ut, rriten rastet tek Pulmologjia

Prokuroria heton 'ndotjen e mjedisit' pas incidentit të 25 prillit; drejtori i Pulmologjisë konfirmon rritje të rasteve kronike respiratore.

Hetim penal pas tymit të zi të KEK-ut, rriten rastet tek Pulmologjia
Foto: lajmi.net

PRISHTINË — Prokuroria e Shtetit po zbaton hetime penale ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas tymit të zi që doli nga Termocentrali "Kosova A" më 25 prill. Prokuroria e autorizoi policinë për hetime nën dyshimet për veprën penale "Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit".

Prokuroria Themelore konfirmoi se "është duke ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast", por refuzoi të japë detaje shtesë me arsyetimin se mund të dëmtohet integriteti i procesit hetimor.

Ndërkohë, pasoja shëndetësore janë parë tashmë. Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Besim Morina, konfirmoi rritje të rasteve: "Po ne e kemi vërejt një shtim të rasteve të sëmundjeve kronike sepse ne po flasim për një grup fraxhil që janë të ndjeshëm ndaj ndotjes, që janë me sëmundje kronike respiratore, me astmë ata me bronhit kronik."

Sipas Morinës, ndotja e ajrit mbetet arsyeja kryesore e përkeqësimit: "Çdo vit ne e kemi problemin e njëjtë që herë pas here kemi nivele të larta të ndotjes dhe menjëherë reflektohet në shëndetin e njerëzve sidomos në grupet fraxhile."

KEK-u deklaroi në ditën e ngjarjes se elektrofiltrat e Termocentralit "Kosova A" u ndalën si pasojë e një defekti. Kompania nuk i është përgjigjur kërkesave të mediave pas ngjarjes.

Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.