lajme

Hegseth urdhëron tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania

Pentagoni njoftoi tërheqjen brenda 6–12 muajsh, ndërsa Trump akuzon Berlinin për shkelje të marrëveshjes tregtare.

Hegseth urdhëron tërheqjen e afër 5 mijë trupave nga Gjermania
Foto: www.evropaelire.org

UASHINGTON — Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth urdhëroi tërheqjen e afër 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania brenda vitit të ardhshëm, njoftoi Pentagoni të premten.

Zëdhënësi i Pentagonit Sean Parnell tha se «presim që tërheqja të përfundojë gjatë gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm», duke shtuar se vendimi vjen «pas një shqyrtimi të hollësishëm të dislokimit të forcave të Departamentit në Evropë dhe merr për bazë kërkesat e teatrit operacional dhe kushtet në terren».

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius tha më 2 maj se tërheqja ishte e pritshme: «Që trupat amerikane po tërhiqen nga Evropa dhe po ashtu nga Gjermania ishte diçka që pritej. Ne, evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë», deklaroi ai përmes një deklarate për AFP-në.

NATO tha se po «punon» me SHBA-në për të kuptuar vendimin e Uashingtonit. Zëdhënësja Allison Hart shkroi në X se «ky ndryshim vë në pah nevojën e Evropës për të vazhduar që të investojë më shumë në mbrojtje», duke iu referuar marrëveshjes së aleatëve për investimin e 5 për qind të GDP-së.

Paralel me njoftimin ushtarak, Trump akuzoi prodhuesit gjermanë si Mercedes-Benz dhe BMW se po «shfrytëzojnë amerikanët», duke deklaruar se Gjermania «nuk i është përmbajtur marrëveshjes sonë tregtare». Presidenti njoftoi gjithashtu se tarifat për makina dhe kamionë nga BE-ja do të rriten në 25 për qind javën e ardhshme — vendim i ndërthurur drejtpërsëdrejti me retorikën kundër Berlinit.

Burim: Evropa e Lire
— Redaksia ZHURMA

§

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Mos humbisni asnjë editorial

Zbuloni analizat dhe historinë kombëtare të përmbledhura çdo mëngjes në emailin tuaj.