Hapet Gjykata Administrative; Haxhiu: reforma ndihet jashtë sallës
Ushtruesja e detyrës së presidentes cilëson hapjen si moment të rëndësishëm, por paralajmëron: testi i vërtetë do të jetë tek qytetari, jo tek ceremonia.
PRISHTINË — Gjykata Administrative e Kosovës nisi zyrtarisht punën më 5 maj, me një ceremoni hapjeje ku mori pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo e quajti fillimin e funksionimit të gjykatës moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, duke shtuar se vlera e vërtetë do të ndihet jashtë ambienteve ceremoniale.
"Fillimi i punës së Gjykatës Administrative është ditë e rëndësishme për sistemin tonë të drejtësisë, por rëndësia e saj e vërtetë do të ndihet jashtë këtyre ambienteve. Në zyrat, në shtëpitë ku qytetarët presin përgjigje. Në familjet që varen nga një vendim në punën e përditshme të administratës dhe në besimin që njerëzit kanë në raport me shtetin", tha Haxhiu.
Presidentja në detyrë rikujtoi problemin që e shoqëroi punën e saj në Ministrinë e Drejtësisë: "Vendimet administrative prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës. Shteti vendos kurse qytetari shpesh detyrohet të presë gjatë për ta kuptuar nëse vendimi i një institucioni është i drejtë apo i ligjshëm. Në një Republikë demokratike, vendimi i administratës nuk mund ta lë qytetarin pa rrugë".
Haxhiu u shpreh se vlerëson reformën jo me momentin kur ligji shkruhet, por kur qytetari fillon ta ndiejë. "Reforma nuk matet me momentin kur shkruhet në ligj por atëherë kur qytetari fillon ta ndjej në jetën e vet. Me hapjen e Gjykatës Administrative uroj fort që qytetari ta ndjejë dorën e shtetit dhe uroj që çdo dorë që prek jetën e qytetarit të jetë e kujdesshme dhe e përgjegjshme", deklaroi ajo.
Burim: Klan Kosova
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.