104 të zhdukur në Mitrovicë: familjarët kërkojnë ku i kanë varret
Mbi 1,500 persona ende pa varr pas 27 vitesh; ushtruesja e detyrës Haxhiu viziton Mitrovicën dhe zotohet t'i adresojë kërkesat e familjeve
MITROVICË — Njëqind e katër persona mbeten të zhdukur në Mitrovicë që nga lufta, ndërkaq numri kombëtar shkon në mbi 1,500. Të mërkurën, ushtruesja e detyrës Albulena Haxhiu vizitoi Shoqatën e Familjeve të të Pagjeturve, ku familjarët kërkuan drejtësi dhe të dinë ku i kanë varret e të dashurve.
Nazmije Sinani, motra e Ilmiut, rrëfeu plagën e vitit 1999 me zërin e dridhur. Vëllai, Ilmi Cimili, 33-vjeçar atëherë, u mor nga forcat serbe kur hynë në mal. Tre fëmijë u gjetën në Vllahi — Ilmiun jo. "E kam vëllanë e zhdukur, Ilmi Cimilin, më 1999 është zhdukur, i ka pasur 33 vjet. Na kanë hyrë në mal forcat serbe, na kanë marrë vëllanë edhe tre fëmijë, fëmijët i kemi gjetur në Vllahi, e vëllanë jo. Vëllanë prej asaj dite më kurrë s'dimë asgjë për të. Kisha bërë apel me marrë masa e me ditë bile ku e ka varrin" — rrëfeu ajo.
Sipas Sinanit, "përballja e tij" e fundit me forcat serbe ndodhi në fshatin Melenicë. Nëna e tyre është ende gjallë. "Thot me ia ditë varrin veç ku e ka. Ku të nijna që janë gjetë, shpresojmë edhe ne" — tha ajo.
Haxhiu theksoi se pengesën kryesore e përbën Serbia. "Problemi kryesor në këtë drejtim është Serbia, që vazhdon të mos japë informacione për fatin e tyre dhe natyrisht që u zotova se kërkesat e familjeve, që nënat e personave të zhdukur me dhunë, do të adresohen te institucionet përgjegjëse" — tha ajo. Shtoi se përmes Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës është mundësuar gjykimi në mungesë.
Gjyla Haziri, kryetare e Shoqatës, u bëri thirrje institucioneve dhe komunitetit ndërkombëtar. "Ne si familjarë kërkojmë drejtësi. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës të bëjnë presion tek vendorët, mbi shtetin serb..." — tha Haziri. Pas 27 vitesh, mbi 1,500 familje presin të dinë ku i kanë varret.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.