Murati nënshkruan me Francën hua prej 60 milionë eurosh për Lojërat Mesdhetare
Fondet do të përdoren për Qendrën e Studentëve dhe objektet sportive; Kosova pritet të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
PRISHTINË — Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshjen e huas ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), në vlerë prej 60 milionë eurosh, për financimin e projektit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Marrëveshja u nënshkrua nga Murati, ministri i Deleguar për Europën i Francës, Benjamin Haddad, dhe drejtori i Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor në AFD, Arnaud Dauphin, gjatë vizitës zyrtare të ministrit francez në Kosovë.
Sipas Ministrisë së Financave, fondet do të përdoren për renovimin dhe zgjerimin e kompleksit të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe për ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në institucionet arsimore në mbarë vendin. Nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 40 mijë studentë dhe nxënës, përmes krijimit të hapësirave moderne, të qasshme dhe gjithëpërfshirëse për arsim dhe sport, thotë Ministria.
Ministria bëri të ditur se marrëveshja krijon gjithashtu mundësinë për sigurimin e një granti shtesë prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Murati zhvilloi një takim me përfaqësuesit e AFD-së, ku u diskutua për bashkëpunimin aktual dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit në sektorë prioritarë për zhvillimin e vendit.
Murati shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Francës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për mbështetjen e dhënë, duke theksuar se Ministria e Financave synon ta thellojë bashkëpunimin me Francën dhe partnerët ndërkombëtarë për realizimin e investimeve strategjike në Kosovë.
Krahas huas, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca dhe ministri Haddad nënshkruan edhe marrëveshjen për ekstradim, marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë për çështje penale, deklaratën e synimit për Komitetin Kosovë–Francë (për ekspertizë për Lojërat Mesdhetare), si dhe marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 27.11.2024, pati miratuar Projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa më 5 dhjetor 2024 ky ligj u miratua në Kuvendin e Kosovës, por më pas u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës. Si rrjedhojë, bashkë me një sërë ligjesh të tjera të miratuara në të njëjtën seancë, u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Të themeluara në vitin 1951, Lojërat Mesdhetare janë ngjarje multisportive që zhvillohet çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Për herë të parë, Kosova do të jetë nikoqire e tyre — ngjarja më e madhe sportive që ka organizuar vendi deri më tani.
Burim: Kallxo, https://kallxo.com/lajm/lojerat-mesdhetare-60-milione-euro-hua-nga-franca-per-qendren-e-studenteve-dhe-objektet-sportive/
— Redaksia ZHURMA