Komisioni për Ekonomi mban dëgjim publik për Projektligjin për Energjinë
Getoar Mjeku dhe Arben Mustafa diskutojnë për risitë e projektligjeve të energjisë në dëgjimin publik të mbajtur të mërkurën.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka mbajtur dëgjim publik për Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike. Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, deklaroi se synim i këtyre projektligjeve është ndërtimi i një sektori të qëndrueshëm dhe integrimi në tregun pan-evropian, duke shtuar se krijohet baza për kategorizimin e konsumatorëve të cenueshëm dhe parandalimin e varfërisë energjetike.
Mjeku përmendi gjithashtu se risi për Kosovën është rregullimi i baterive, të cilat konsiderohen të domosdoshme për balancimin e sistemit dhe mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Arben Mustafa, theksoj se korniza ligjore duhet të sigurojë një treg funksional, furnizim të qëndrueshëm, konkurrencë të drejtë dhe investime të reja.
Ndërkaq, Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) vlerësoi se miratimi i ligjeve ka vonesë prej të paktën tre vjetësh dhe se pakoja mbetet e paplotë pa Ligjin për Rregullatorin e Energjisë. Miratimi i këtyre projektligjeve është përfshirë si pjesë e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.