Çfarë zbuluan kërkimet shqiptaro-franceze në Sardë?
Misioni do të dokumentojë një sistem fortifikimi me tre unaza mbrojtëse në qytetin mesjetar
— Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, kërkimet arkeologjike në qytetin mesjetar të Sardës po zbulojnë gjurmë të rëndësishme të historisë së tij, përfshirë një sistem fortifikimi me tre unaza mbrojtëse. Misioni shqiptaro-francez do të vijojë edhe këtë vit gërmimet për dokumentimin e strukturave dhe zbulimin e mëtejshëm të trashëgimisë së këtij qyteti mesjetar.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, bëri të ditur për TVSH se, misioni arkeologjik do të rikthehet sërish gjatë verës për të vijuar kërkimet. Sokoli tha se projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” do të vijojë edhe këtë vit kërkimet në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut.
Misioni shqiptaro-francez, i planifikuar të zhvillohet nga fundi i gushtit deri në mesin e shtatorit, do të përqendrohet në pjesën e sipërme të kodrës së qytetit, ku po dokumentohet një kishë e hershme mesjetare. Sipas Sokolit, synimi është përfundimi i dokumentimit të plotë të saj dhe përcaktimi më i saktë i periudhës së ndërtimit.
Projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve, specialistët e DRTK Shkodër kanë kryer edhe pastrimin e zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve.
Burim: KultPlus, https://kultplus.com/misioni-shqiptaro-francez-kerkime-ne-sitin-arkeologjik-te-sardes-ne-ishullin-e-shurdhahut/
— Redaksia ZHURMA
Të ngjashme
sipas temës · #jashte-kufijve
Sa kushton nafta në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni?

Aksident tragjik në Prilep, përmbyset traktori?

Sa emisione filatelike ka sjellë Posta e Kosovës për biodiversitetin këtë vit?

Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.