← Shqipëri
Live · Shqipëri · 04:42 · 18 Korrik 2026

Pse Komisioni Europian kritikon sulmet politike ndaj SPAK-ut?

Komisioni vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, por ngriti shqetësim të fortë për sulmet politike ndaj institucioneve të drejtësisë

TiranëKomisioni Europian, në raportin vjetor për Sundimin e Ligjit të publikuar të premten, vlerësoi progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi dhe rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por ngriti shqetësim të fortë për sulmet politike ndaj institusioneve të drejtësisë dhe pengesat ndaj hetimeve, sidomos pas hetimeve për rastin të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas raportit, reagimet e ekzekutivit dhe shumicës parlamentare ndaj hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi drejtësinë dhe dëmtojnë besimin publik te institucionet. Komisioni thekson se “pezullimi nga detyra i një zyrtari të nivelit të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut, si edhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore”.

Kuvendi refuzoi të heqë imunitetin e Ballukut të kërkuar nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, vendim që “ngriti shqetësime lidhur me parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe barazisë përpara ligjit”. Po ashtu, propozimet për të kufizuar pezullimin nga detyra të zyrtarëve gjatë proceseve penale “mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivele të larta, dhe koha e paraqitjes së tyre mund të kontribuojë në perceptimin e pandëshkueshmërisë”.

Institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor reaguan publikisht duke dënuar presionin politik mbi drejtësinë, ndërsa Komisioni kujtoi standardet europiane sipas të cilave “të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe mbrojnë besimin e publikut te institucionet kushtetuese, përfshirë gjyqësorin”.

Megjithatë, vlerësimi për punën e SPAK-ut mbetet pozitiv. Komisioni thekson se struktura e posaçme “vazhdoi të demonstrojë pavarësi dhe kapacitete të forta për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht përpjekjeve të raportuara nga media dhe politika për ta diskredituar, ushtruar presion dhe ndikim të papërshtatshëm”.

Raporti evidenton gjithashtu se gjatë periudhës së monitoruar kishin vendosur edhe kërcënime fizike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke bërë që tetë magjistratë të vendoseshin nën mbrojtje. Po ashtu, përminohet ngarkesa në sistem, sidomos në Gjykatën e Apelit, dhe problemet e tjera përfshijnë mungesën e resurseve njerëzore.

Ministria e Drejtësisë u përqendrua kryesisht te vlerësimet pozitive. “Raporti i këtij viti konfirmon se progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” thuhet në njoftimin e ministrisë. Ministria vuri në dukje se raporti vlerëson përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmirësimet në efikasitetin e sistemit gjyqësor, ndërsa pranoi se Komisioni identifikon edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e sundimit të ligjit.

Burim: Almakos, https://almakos.com/birn-komisioni-europian-kritikon-sulmet-politike-ndaj-spak-ut-ne-rastin-balluku/
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën