Kur do të përfundojë interkonektori i gazit me Greqinë?
Kryeministri Hristijan Mickoski synon sinkronizimin e sistemit kombëtar të gazit deri në tremujorin e parë të vitit 2027.
— Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se interkonektori i gazsjellësit me Greqinë pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2027. Mickoski u shpreh optimist se projekti mund të finalizohet edhe më shpejt, konkretisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, duke mundësuar sinkronizimin e plotë të sistemit kombëtar të gazit të Maqedonisë së Veriut me atë grek.
Kryeministri theksoi se projektet energjetike, përfshirë paralajmërimin e interkonektorit me Serbinë, po realizohen pa financim të jashtëm. Sipas tij, qeveria nuk ka marrë kredi, hua, donacione apo grante, por i realizon punimet me mjetet e veta përmes punës së institucioneve vendore. Deklaratat i bëri pas vendosjes së gurthemelit për një pishinë në Butel.
Gjithashtu, Mickoski njoftoi riaktivizimin e tre projekteve kyçe: lidhjen Veles–Shtip, aksin Gostivar–Kërçovë dhe një degëzim pranë Tetovës që do të lidhet me Kosovën. Ai sqaroi se Maqedonia do të realizojë pjesën që i takon, ndërsa do t'i mbetet Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse do ta vazhdojë projektin në territorin e saj.
Parashikimet e qeverisë përputhen me konfirmimin e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale. Ministrja Sanja Bozhinovska është takuar me drejtorin e NOMAGAS, Nedim Rama, dhe drejtoreshën e operatorit grek DESFA, Marija Sferuca, për të shqyrtuar ecurinë e punimeve në të dyja anët e kufirit dhe zbatimin e obligimeve kontraktuale.
Burim: Shenja
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.