Atamanti
Atamanti, biri i Aeolit dhe Emaretit, mbretit legjendar të Orkomenës së Beotisë. Në fillim Hera i kishte dhënë atij për grua Nefelën, hyjneshën e reve, me të cilën pati dy fëmijë, Friksin dhe Helën. Por Atamanti e tradhtoi Nefelën dhe u martua me vajzën e Kadrnit, Inon. E dëshpëruar, Nefela u ngjit në qiell dhe që andej i dërgoi vendit një thatësirë të madhe, që shkretoi arat e mbjella. Atëherë Atamanti dërgoi te orakulli i Delfit njerëz që ta pyesnin për shkaqet e kësaj fatkeqësie. Pas pak kohësh Inoja lindi dy fëmijë, Learkun dhe Melikertin dhe, meqenëse i urrente fëmijët e Nefelës, ajo vendosi t’i vriste. Duke u mbështetur tek orakulli, ajo i mbushi mendjen të shoqit që të bënte fli fëmijët e Nefelës dhe të shpëtonte vendin nga uria që e kishte pllakosur. Çdo gjë ishte gati për flijim, por Nefela, për t'i shpëtuar fëmijët e saj, dërgoi nga qielli dashin me bashkë të artë, i cili i çoi ata në det. (→ Hela, Friksi). Hera e zemëruar e çmendi Atamantin, i cili vrau djalin e tij, Learkun, që iu duk si kafshë e egër. E dëshpëruar, Inoja u hodh në det midis Megarës dhe Korintit dhe u shndërrua në hyjninë e detit. Levkote. Pas këtyre Atamanti u detyrua ta linte vendin e tij.