VLEN dorëzon propozimin për kontratat, BDI ngre shqetësime
Koalicioni VLEN ka dorëzuar propozim-ligjin për kalimin në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar, ndërsa BDI kundërshton me pretendimin për punësime partiake.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Koalicioni VLEN ka dorëzuar propozimin ligjor që parasheh kalimin në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar për personat që i plotësojnë kushtet ligjore në institucionet publike. Deputeti Zeqirja Tahiri deklaroi se nisma përfshin kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale, angazhime përmes agjencive dhe forma të tjera të kontratave për kryerjen e punës. Sipas tij, pas hyrjes në fuqi, institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh për rregullimin e kontratave ose nxjerrjen e vendimeve, ndërsa parashihet edhe mbrojtja nga ndërprerja e kontratave gjatë procedurës përveç rasteve të shkeljeve.
Në krahun tjetër, deputetja e BDI-së, Diana Toska, ka ngritur shqetësime se ky propozim-ligj rrezikon të shërbejë për punësime partiake dhe sistemimin e personave të afërt me pushtetin. Ajo theksoi se shqetësimi shtohet pasi shumica parlamentare krijon njëkohësisht mekanizma për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për punonjësit administrativë. Propozim-ligji pritet të kalojë në shqyrtim parlamentar.