Vitia dhe San Cosmo Albanese lidhin marrëveshje binjakëzimi
Kryetarët e Vitisë dhe San Cosmo Albanese nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit në Kalabri, në kuadër të një veprimtarie për poetin Zef Serembe.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Bashkisë së San Cosmo Albanese në Itali, Damiano Baffa, kanë nënshkruar marrëveshjen e binjakëzimit mes dy komunave. Ceremonia u mbajt në San Cosmo Albanese të Kalabrisë, gjatë një veprimtarie kushtuar poetit arbëresh Zef Serembe, e cila mblodhi përfaqësues nga rajone të ndryshme arbëreshe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, partneriteti synon të nxisë shkëmbimet në fushën e arsimit, kulturës, rinisë, turizmit, si dhe transferimin e përvojave në qeverisjen lokale. Gjatë ngjarjes, Haliti vlerësoi lart kontributin e komunitetit arbëresh në ruajtjen ndër shekuj të gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës, ndërsa ftoi zyrtarët italianë për një vizitë zyrtare në Viti.