Si po ringjallen monumentet e dëmtuara nga tërmeti?
Pse restaurimi i 23 siteve të trashëgimisë kulturore është i rëndësishëm për Shqipërinë?
TIRANË — 23 site të trashëgimisë kulturore, të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, u restauruan dhe rijetëzuan në kuadër të projektit i Bashkimi Evropian për Kulturën i vënë në zbatim nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS).
Me një buxhet total prej 40 milionë eurosh, u realizua rehabilitimi i Arkivit Qendror të Filmit, Qendrës ‘Sotir Kolea”, u restaurua plotësisht mozaiku te Muzeu Kombëtar dhe godina historike e Teatrit të Kukullave, që rrezikonte degradimin, duke ruajtur autenticitetin e siteve.
“Për shembull, për mozaikun në Tiranë, ne kontaktuam me autorët që e krijuan mozaikun për t’i pyetur se si e kishin realizuar, dhe i blemë teserat nga një furrë në Venecia, e cila ishte e njëjta që kishte prodhuar teserat në vitin 1981”, u shpreh menaxherja e programit EU4Culture, UNOPS, Pamela Lama.
Duke angazhuar restaurator shqiptarë dhe të huaj, bazuar në shembuj të ngjashëm në vendet e BE-së, në Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Muzeu Etnografik i Durrësit dhe Kavajës si dhe në Kalaja e Bashtovës, janë rikonceptuar, duke integruar përmbajtjen inovative dhe multimedian dhe interpretimit për t’u ofruar vizitorëve një përvojë gjithëpërfshirëse.
“Kudo që ishte e mundur, bëmë që të prezantoheshin përvoja të përmirësuara për vizitorët përmes multimedias, udhëzuesve të shkruar në gjuhë të ndryshme, aktiviteteve interaktive që tërheqin të gjitha grupmoshat, duke i informuar më shumë për historinë e pasur kulturore të Shqipërisë”, u shpreh Lama.
Puna e konservimit u përqendrua në forcimin e mbetjeve me synimin për të garantuar qëndrueshmërinë e tyre në të ardhmen, në mënyrë që ato të mund të vizitohen dhe të shijohen.
Gjatë procesit të riparimit, u përdorën aftësitë tradicionale të restaurimit dhe materialet lokale të përdorura fillimisht gjatë ndërtimit të këtyre aseteve.
Asetet tani janë të sigurta për t’u vizituar dhe përmbajnë interpretim të thjeshtë, por informues, mbi historinë e tyre për të nxitur të mësuarit në të ardhmen.
Me finalizimin e këtij projekti, pas gati gjashtë vitesh, këto objekte të trashëgimisë sonë kulturore i shtohen sërish ofertës turistike, por edhe komuniteteve lokale, me synimin për të pasur më shumë mundësi socio-ekonomike.
Burim: Top Channel, https://top-channel.tv/2026/07/01/ringjallen-23-monumentet-e-demtuara-nga-termeti-rikthehen-ne-funksion-pas-restaurimit/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.