Sa muaj leje lindjeje kërkon peticioni i ri në Zvicër?
Mbi 110 mijë nënshkrues kërkojnë zgjatjen e saj në gjashtë muaj për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe foshnjave.
BERNË — Peticioni i paraqitur në Kancelarinë Federale kërkon që nënat e reja në Zvicër të kenë të drejtë të kërkojnë gjashtë muaj leje lindjeje. Kërkesa, e mbështetur nga 110,000 nënshkrime, synon të rrisë mirëqenien e familjeve të reja dhe të forcojë lidhjen e hershme mes nënës dhe fëmijës.
Organizata Campax, e cila qëndron pas këtij propozimi, thekson se aktualisht nënat kanë të drejtë për vetëm 14 javë leje pas lindjes, gjë që është ekuivalente me pak më shumë se tre muaj. Aktivistët e cilësojnë këtë periudhë si shumë të shkurtër për një nga fazat më kritike të jetës së një fëmije.
Sipas OJQ-së, zgjatja e lejes është e domosdoshme për ushqyerjen me gji, sigurinë e foshnjës dhe rikuperimin fizik e psikologjik të nënës. Campax argumenton se ky ndryshim do ta sillte Zvicrën në përputhje me standardet e vendeve të tjera evropiane që garantojnë periudha më të gjata leje prindërore.
Burim: Albinfo.ch
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.