Përleshje mes tifozëve në Shkup, një i lënduar dhe një i arrestuar
Konfrontim fizik mes grupeve të tifozëve pranë qendrës sportive në lagjen Aerodrom të Shkupit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
SHKUP — Një përleshje fizike mes grupeve të tifozëve «City Park Boys» dhe «Family» ka ndodhur para palestrës sportive «Jane Sandanski», në lagjen Aerodrom të Shkupit. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, incidenti ka ndodhur më 31 tetor, rreth orës 18:55, kur një grup i vogël pjesëtarësh të «Family» janë nisur nga rruga «Vasko Karangeleski» drejt sallës dhe kanë sulmuar mbështetësit e klubit të basketbollit Rabotniçki që po prisnin të hynin për të përkrahur ekipin e tyre në ndeshjen kundër Skopjes.
Përplasja ka përfunduar me persona të lënduar, ndërsa pamjet e konfrontimit janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Policia dhe ekipet e Ndihmës së Shpejtë kanë dalë në vendngjarje, ku një person është privuar nga liria, ndërsa një tjetër është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit «Shën Naum Ohridski» për trajtim mjekësor. Pas incidentit, autoritetet kanë shtuar masat e sigurimit në palestër, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.