Paralajmërohen reshje intensive shiu dhe rrezik përmbytjesh
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se vendi do të përfshihet nga reshje intensive dhe kërkon gatishmëri nga strukturat vendore.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Vendi do të përfshihet nga reshje mesatare deri në shumë intensive gjatë pasdites dhe ditës së nesërme, 13 nëntor, sipas njoftimeve të Agjencisë Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak tregojnë se gjatë pasdites së 12 nëntorit do të ketë reshje mesatare deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata, në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Ndërkaq, për datën 13 nëntor, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër. Si pasojë e këtyre reshjeve, institucionet paralajmërojnë mundësinë e grumbullimeve të përkohshme të ujit në disa zona urbane, ndërsa në zonat malore ekziston rreziku i vërshimeve të përrenjve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Strukturave vendore u është kërkuar të marrin masa parandaluese, të monitorojnë zonat me rrezik dhe të mbajnë në gatishmëri kapacitetet për ndërhyrje në rast nevoje. Po ashtu, qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në zonat e ekspozuara dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.