Ramadani: Vendimi për energjinë, perde tymi për reduktimet
Deputeti i Aleancës ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë me kompanitë serbe, duke kërkuar hetim të paanshëm.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke e cilësuar atë si dyfish të dyshimtë. Sipas tij, kjo masë përbën një tentativë për të fshehur dështimet dhe për të shërbyer si perde tymi për ndërprerjet e furnizimit që mund të presin vendin. «E para, po e pranojnë vetë me gojën e tyre se krejt çka kemi thënë tash e sa kohë për pazaret me rrymën e Serbisë dhe mafian energjetike ka qenë e vërtetë», ka deklaruar ai në një postim në rrjete sociale, duke shtuar se vendimi po përdoret edhe për të arsyetuar ndaljet e rrymës gjatë dimrit.
Gjatë reagimit të tij, Ramadani ka kritikuar ekzekutivin për mungesë të zgjidhjeve të qëndrueshme energjetike gjatë një mandati të tërë. Ai ka pretenduar se buxhetit të shtetit i janë zhvatur miliona euro përmes kontratave dhe tregtisë së dyshimtë. «Sot, në momentin kur skandalet po u shpërthejnë në çdo sektor dhe vendi po rrezikon reduktime të ashpra të energjisë elektrike, po tentojnë ta fshehin dështimin e tyre në emër të “patriotizmit”», ka thënë ndër të tjera deputeti, duke kërkuar gjithashtu një hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm për të gjitha fondet e shpenzuara deri më sot në këtë sektor.