Hetimet përfshijnë zyrtarë të Fondit shëndetësor dhe spitalit privat
Detaje të reja nga aksioni policor në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë që lidhet me spitalin privat dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TETOVË — Një aksion i gjerë policor në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë ka vënë në shënjestër disa persona përgjegjës nga një spital privat dhe punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Sipas informacioneve fillestare dhe jozyrtare, në mesin e personave të përfshirë në hetim figuron ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, i cili përmendet si personi i parë i kallëzuar në këtë rast.
Hetimet përfshijnë gjithashtu ish-kryetarin e Bordit Drejtues të FSSh-së, Ridvan A., si dhe ish-shefin e Sektorit për Kontroll në të njëjtin institucion, Cveten S. Në listën e personave që përmenden janë edhe ish-drejtoresha e njësisë rajonale të FSSh-së në Shkup, Zhaklina S., si dhe shefja aktuale e kësaj njësie rajonale, Irena P.
Përveç zyrtarëve të Fondit, në fokus të hetimeve janë edhe përfaqësues të spitalit privat „Sante“. Sipas të dhënave jozyrtare, bëhet fjalë për ish-menaxheren e spitalit, Vesna Q., ish-pronarin dhe personin e autorizuar Salih B., menaxheren aktuale Selma A., si dhe ish-drejtoreshën e këtij institucioni shëndetësor, Geriana A.