Penatët
Penatët, hyjnitë e vatrës, që kujdeseshin për mirëqenien e familjes, në besimin romak. Emri i tyre lidhet me fjalën penus (dollapi i ushqimeve) dhe cella panaria (qilarin e ushqimeve). Dalloheshin penatë shtëpiakë dhe penatë publikë. Të parët, që i përfytyronin gjithmonë dy nga dy, ishin mysafirët dhe dashamirësit e një familjeje të vetme. Figurat e tyre i paraqitnin në statuja prej druri, prej argjili, ose dylli dhe i vendosnin në shtëpi. Sipas përfytyrimeve të romakëve, penatët merrnin pjesë në drekat dhe darkat e familjes. Në ditë të caktuara atyre u bënin edhe flijime. Penatët publikë ishin mbrojtësit e shtetit. Ata i nderonin në Forum, në tempullin e Vestas, ku ata kishin një faltore të veçantë. Penatët paraqiteshin shpesh në monedha, zakonisht si pleq, koka e të cilëve ishte e mbuluar me një vel. Në kuptimin e figurshëm fjala penatë sot ka marrë kuptimin vatrës së shtëpisë.