Bërvenicë, dalja në balotazh arrin në 13 për qind deri në orën 11:00
KSHZ njofton se 2.245 qytetarë kanë votuar deri në mesditë në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, ndërsa kandidati shqiptar shprehet optimist.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar gjithsej 2.245 qytetarë, duke shënuar një dalje prej rreth 13 për qind, apo saktësisht 13,82 për qind të votuesve të regjistruar nga 100 për qind të vendvotimeve të përpunuara. Procesi zgjedhor po vazhdon rregullisht në të gjitha vendvotimet e kësaj komune.
Sipas të dhënave krahasuese, dalja e votuesve deri në këtë orë paraqet rritje për 4,71 për qind krahasuar me raundin e parë të mbajtur dy javë më parë, kur kishin votuar 9,11 për qind, ndërsa krahasuar me rrethin e dytë të vitit paraprak vërehet një ulje e daljes për 1,47 për qind. Kandidati shqiptar për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiu, pasi ka kryer votimin e tij, ka deklaruar: «Pres fitore sonte».